Albin Kurti, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, Foto: ZKM

Kurti diplomatëve perëndimor:  Prioritet kryesor për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit

Sot, nikoqir i pesë diplomatëve perëndimor në Prishtinë ishte kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Përmes një njoftimi për media, Qeveria e Kosovës konfirmoi se pesë emisarët nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ofruan një plan për ecjen përpara në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Tutje, në njoftim thuhet se Kurti ka treguar edhe prioritetin e Kosovës në këtë fazë të dialogut.

“Prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje” – thuhet në njoftim.

“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht” – thuhet tutje në njoftimin e ZKM-së.

Në anën tjetër, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak theksoi nevojën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Lajçak: Pa Asociacion, nuk do të ketë progres në rrugën europiane të Kosovës