Akademia e Shkencave dhe Arteve te Kosoves Foto: ASHAK

Akademia e Shkencave dhe Arteve: Projekti ‘Ballkani i hapur’ izolon politikisht Kosovën

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka akuzuar Serbinë se përmes formave të ndryshme po synon të destabilizojë Kosovën dhe Ballkanit Perëndimor.

Sipas AShAK-ut, Serbia duke shfrytëzuar zhvillimet politike rajonale dhe globale, qoftë paqartësitë dhe kontradikta brenda Bashkimit Evropian apo zhvillimet e fundit rreth krizës në Ukrainë, ka përshkallëzuar përpjekjet destabilizuese ndaj Ballkanit Perëndimor.

AShAK përkujtojnë se një qasje e tillë agresive e Serbisë ndaj Kosovës pritet në vazhdimësi.

Gjithashtu, përmes kësaj deklarate, Akademia e Shkencave dhe Arteve konsideron se nisma “Ballkani i hapur” (Open Balkan) është minim i “Procesit të Berlinit” dhe e izolon politikisht Kosovën.

Sipas AShAK-ut, kjo nismë do të ketë pasoja largvajtës për raportet e ardhshme mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Luftënxitësja” e Ballkanit

AShAK ka fajësuar Serbinë për nxitje të eskalimeve të muajve të fundit, qoftë në veri të Kosovës, zhvillimeve në Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të ZI.

“Eskalimi i situatës para disa muajve në veriun e Kosovës e ka bërë të domosdoshme edhe për bashkësinë ndërkombëtare një rikthim të vëmendjes tek sinjalet e qarta që jep Serbia, për të rindezur një konflikt të ri me Kosovën”, thuhet në deklaratë.

Njëjtë, sipas kësaj deklarate, Serbia po vepron edhe me zhvillimet në pjesë tjera të rajonit, dhe se qëllimet e saj janë që të krijojë favore për vete në agjendat ndërkombëtare, dhe për politikat ruso-kineze kundër NATO-s dhe BE-së.

AShAK ka përmendur edhe memorandumet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve lidhur me zhvillimet rajonale, duke konsideruar se kjo akademi po shtyn dhe harton agjenda që nxisin konflikte ndëretnike në rajon.

“Ndërkohë, më 2017 është hartuar ‘Memorandumi 3’ i Akademisë Serbe, i cili ka promovuar togfjalëshin hiperbolik ‘bota serbe’. Në esencë ky togfjalësh përmbledh atë që thotë diplomati amerikan Eskobar, se ‘bota serbe’ në të vërtetë është ‘bota ruse’”, thuhet në deklaratën AShAK-ut.

“Ballkani i hapur”

Sipas AShAK- ut, nisma e Serbisë për “mini-Shengenin” dhe projektin “Ballkani i hapur” duhet parë në kuadër të projekteve dhe memorandumeve të Akademisë Serbe të Shkencave, të cilat, sipas AShAK-ut nxisin konflikte ndëretnike në rajon.

AShAK-u, projektin “Ballkani i hapur” e sheh si obstruksion të hapur ndaj BE-së dhe si hapësirë për depërtime të reja politike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në Ballkan, duke fuqizuar rolin e Serbisë në rajon dhe duke anashkaluar Kosovën në të gjitha proceset rajonale.

“Akademia konsideron se nisma ‘Ballkani i hapur’ është minim i ‘Procesit të Berlinit’, se bën izolimin politik të Kosovës dhe se do të ketë pasoja largvajtës për raportet e ardhshme mes shteteve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

AShAK akuzon krerët politikë në Shqipëri dhe Kosovë se me deklaratat e tyre po i japin favore Serbisë në arenën ndërkombëtare.

“Retorika nacionaliste e kreut politik të Shqipërisë për bashkim kombëtar, për heqje kufiri me Kosovën etj., që gjoja përfshihen në projektin ‘Ballkani i hapur’, njësoj si diskutimi politikisht diletant në Kosovë për bashkim kombëtar, i shkojnë në favor politikës së Serbisë, duke e konsideruar ‘Serbinë e madhe’ si pasojë logjike dhe kundërpeshë politike kundrejt ‘Shqipërisë së madhe’ dhe duke vendosur shenjën e barazimit mes Kosovës dhe Republika Serpska, pavarësisht se bëhet fjalë për dy realitete krejtësisht të ndara politike dhe historike”, thuhet në deklaratë.

Akademia thotë se “Ballkani i hapur” do të ndikojë edhe në defaktorizimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Serbia, bllokuesja e dialogut

Ndërkaq, dialogun e deritashëm në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së,  AShAK e konsideron jofrutdhënës, me  rezultate minimale, duke përmendur edhe ndërhyrjet e Rusisë në raport me këtë dialog.

Sipas AShAK-ut, Serbia është bllokuesja e vërtet e dialogut.

Akademia e konsideron se është joproduktive dhe politikisht e gabuar që Kosovës t’i bëhet trysni ndërkombëtare për të arritur marrëveshje të dëmshme me Serbinë.

AShAK-u e mbështet përfshirjen e ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi dhe qëndrimin e të dërguarit të posaçëm amerikan Gabriel Eskobar, i cili rikonfirmoi mbështetjen e ShBA-së për sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Në fund të deklaratës së saj, AShAK-u mbështet perspektivën më të qartë të Kosovës drejt NATO-s dhe kërkon përgjegjësi nga klasa politike e Kosovës për zhvillimet e brendshme dhe të jashtme në Kosovë.