Aktakuzë në mungesë për dhunim seksual të një të miture gjatë luftës

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj një personi për dhunë seksuale ndaj një të miture shqiptare në kohën e luftës, në cilësinë e pjesëtarit të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Përmes një komunikate, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se sipas aktakuzës një gjë e tillë ka ndodhur gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në zonën e Ferizajit.

Viktima e dhunimit sipas Prokurorisë ka pësuar lëndime të rënda fizike trupore si dhe trauma psiqike të përhershme.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri me iniciale M.J. si pjesëtarë i forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat  ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Ferizajt, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, në bashkëkryerje me persona të tjerë, deri tani të paidentifikuar, ka kryer dhunim seksual ndaj femrës së nacionalitetit shqiptarë, e cila në kohën e dhunimit ishte e mitur” – thuhet në njoftim.

Kështu, M.J po akuzohet për krime lufte ndaj popullatës civile.

Ndërkaq lidhur me këto akuza do të mbahet gjykim në mungesë, pasi që sipas njoftimit të PSRK–së janë shteruar të gjitha përpjekjet ligjore për të gjetur të akuzuarin.

“Prokuroria  Speciale i ka propozuar gjykatës kompetente që të mbahet gjykimi në mungesë pasi që janë shterur të gjitha përpjekjet ligjore për ta gjetur të pandehurin” – thuhet në njoftim.