Aktakuzë ndaj një pjesëtari të forcave serbe, dyshohet për krime lufte në zonën e Klinës
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj anëtarit të forcave serbe, i cili dyshohet për djegie të shtëpive dhe për dëbimin e civilëve shqiptarë të Kosovës nga vendbanimet e tyre.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër një personi i cili dyshohet për krime lufte gjatë viteve 1998 – 1999 si anëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe.
I akuzuari I.B., i cili i përket nacionalitetit rom, akuzohet se nga janari i vitit 1998 e deri në qershor të vitit 1999 si anëtar i forcave serbe, në komunën e Klinës, përkatësisht në fshatin Zajm, ka marrë pjesë në plaçkitjen e popullsisë civile.
I.B. po ashtu kishte marrë pjesë në djegien e shtëpive në po këtë fshat pa përjashtuar fshatrat përreth.
Të vdekur ishin gjetur dy viktima në njërën prej shtëpive të cilat i njëjti dyshohet se i ka djegur.
Sipas aktakuzës, ai po ashtu kishte marrë pjesë edhe në dëbimin e banorëve shqiptarë nga shtëpitë e tyre, veprime të cilat i kishte ndërmarrë nën kërcënimin e armëve.
Gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve i njëjti kishte vjedhur sende me vlerë si automjete, bagëti, televizor si dhe gjësende të tjera me vlerë.
Sipas Prokurorisë Speciale i njëjti ndodhet në arrati, dhe gjykimi do të mbahet pa prezencën e tij, gjithmonë konform ligjit.
Kujtojmë se gjykimi në mungesë është risi në legjislacionin e Kosovës, institut i cili ka ardhur me miratimin e versionit të fundit të Kodit të Procedurës Penale.
Ngritja e aktakuzave në mungesë për krime lufte në Kosovë ka rëndësi si për dokumentimin e krimeve, ashtu edhe për rehabilitimin e familjarëve të viktimave, thonë njohës të çështjeve të drejtësisë.
Kodi i Procedurës Penale thotë se në rastet kur i pandehuri është në arrati ose për shkaqe tjera është i paarritshëm për organet e ndjekjes, prokurori i shtetit mund të ngrejë aktakuzë edhe nëse i pandehuri nuk është marrë në pyetje në procedurë paraprake apo nuk ka dhënë deklaratë në procedurë paraprake.