Aktakuzë ndaj një personi për kanosje ndaj deputetit Avdullah Hoti

Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për veprën penale – kanosje.

I dyshuari akuzohet se ka kanosur deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në rrjetin social Facebook.

Ngjarja, sipas njoftimit të Prokurorisë, ka ndodhur më 15.12.2022.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.S., për shkak të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, kanosja ka ardhur pasi R.S. ka komentuar në një postim të Avdullah Hotit, ku kishte dhënë një mendim politik për zhvillimet politike në vend.

Tashmë i akuzuari me qëllim të frikësimit i ka ka shkruar koment që lidhet me pozitën dhe punën e të dëmtuarit dhe e ka kanosur.

“Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”- ishin fjalët që i dyshuari kishte lënë në postimin e Hotit, sipas njoftimit të Prokurorisë.

 “Sipas aktakuzës, më 15.12.2022 në Prishtinë, pasi i dëmtuari A.H., deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte postuar në profilin e tij në rrjetit social “facebook” mendimin e tij për zhvillimet politike në vend, i pandehuri i lartcekur, me qëllim të frikësimit, e përmes llogarisë së tij personale në rrjetin social “facebook”, i shkruan koment që lidhet me punën apo me pozitën e të dëmtuarit dhe e kanosë seriozisht me fjalët: “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, ku me këtë rast tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri kryen veprën penale të kanosjes.”- thuhe tutje në njoftimin e Prokurorisë.