Ilustrim: Sulmet kibernetike - Foto: REL/Shutterstock

Aktakuzë kundër personit për sulm kibernetik ndaj një portali

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S. Ç., pasiqë i njëjti dyshohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, përmes Laptopit, pa autorizim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të shkaktimit të dëmit të personit tjetër, ka kryer sulm kibernetik të llojit DDoS ndaj të dëmtuarës, portalit “Nacionale”, i cili ka rezultuar me degradim dhe mosfunksionim normal të portalit.

I njëjti, e ka skanuar në vazhdimësi web faqen e të dëmtuarës përmes programeve të veçanta nëpërmjet internetit dhe ka tentuar të qaset edhe në panelin e web faqes me qëllim që të gjejë dobësi për tu qasur pa autorizim brenda sajtit.