Aksioni i PSD-së te qeveria, arrestohen 5 aktivistë

Partia Socialdemokrate (PSD), ka mbajtur një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Disa zyrtarë të kësaj partie kanë hedhur ngjyrë të kuqe dhe kanë vendosur mbishkrimin “gjakderdhje financiare”.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka konfirmuar për KALLXO.com se pas këtij aksioni janë arrestuar Frashër Krasniqi, Qëndrim Sahiti, Zgjim Hyseni, Agron Kabashi dhe Nol Nushi.

Rasti u konfirmua për KALLXO.com edhe nga ana e Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë, rreth orës 14:30 është pranuar informata për një aktivitet të paparalajmëruar nga një grup personash të cilët kanë hedhur ngjyrë dhe gjësende të tjera në drejtim të objektit të Qeverisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

“Me qëllim të parandalimit të degradimit të mëtejmë të veprimeve të tilla policia ka reaguar duke shoqëruar në stacionin policor pesë persona ndaj të cilëve konform autorizimeve policore dhe në koordinim me prokurorin e shtetit po ndermerr veprimet e duhura para se të njejtit të procedohen në fazën vijuese”, thuhet në njoftimin e organeve të rendit.

Ky aksion u zhvillua për të kundërshtuar miratimin e rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për 6 muajt e ardhshëm.