Aksioni i PSD-së, Ministria e Shëndetësisë  ‘mbushet’ me letra higjienike

Lidhur me kushtet në spitale të vendit, PSD, sot ka mbajtur një aksion protestues në oborrin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kryetari Molliqaj dhe anëtarë të tjerë të kësaj partie që ishin pjesë e këtij aksioni, vendosën fotografi me imazhe të klinikave të ndryshme spitalore, e më pas hodhën edhe letra higjienike, për të treguar, sipas tyre, gjendjen në shëndetësinë publike.

Donjetë Demolli, nga kjo parti ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, duke thënë se ai ende nuk ka përgatitur tenderin për pastërti dhe për mirëmbajtjen e QKUK-së dhe spitaleve të tjera të Kosovës.

“Ky tender ka mundësi të dështojë nëse ministri siç po bëjnë ministrat e tjerë, nuk e përgatit me procedurë të përshpejtuar, nuk është duke përgatitur aty diçka që i konvenon atij dhe grupit të tij”, ka thënë Demolli.

Tutje Demolli është shprehur për ministrin Vitia se është duke favorizuar spitalet private duke anashkaluar kështu përmirësimin e gjendjes së shëndetësisë publike.

“Ka radhë të gjata për intervenime, ka mungesë të stafit shëndetësor, ka mungesë të barnave esenciale, ka mungesë të aparaturave e çka të ju shkon në mend në QKUK e keni mungesë”, është shprehur ajo.

Ekspozita, siç e quajti ajo aksionin protestues, sipas PSD-së pasqyron gjendjen aktuale në spitalet e Kosovës.

Në fotografitë që i vendosën në muret e kësaj ministrie, shiheshin ambiente të ndryshme të klinikave spitalore të QKUK-së si dhe spitaleve të tjera.