Aksidenti me fatalitet i këmbësores 56-vjeçare, gjykata dënon të akuzuarin

Gjykata e Prishtinës e ka gjetur fajtor dhe dënuar të akuzuarin Melvin Dinaj, i cili kishte goditur një këmbësore 56-vjeçare në nëntor të vitit të kaluar, e cila kishte vdekur pas lëndimeve të pësuara.

Sot është mbajtur seanca lidhur me këtë rast, ku i akuzuari Dinaj e ka pranuar fajësinë.

Gjykata e Prishtinës ka konfirmuar për KALLXO.com, se tw akuzuarit i është shqiptuar dënim prej 3 vitesh burgim efektiv.

“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me datë 19.01.2024 është mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar, ku i pandehuri M.D e ka pranuar fajësinë për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, e të cilin pranim të fajësisë gjykata e ka pranuar me aktvendim.” – thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Përveç dënimit me burgim, atij i është ndaluar edhe marrja e lejes së vozitjes për kategorinë “B” dhe marrja e re e lejes së vozitjes në afat prej 5 vitesh, kjo si dënim plotësues.

Aktgjykimi dënues ndaj tij ende nuk është përpiluar dhe i njëjti posa të përpilohet do publikohet dhe të jetë i qasshëm për publikun.

Aksidenti kishte ndodhur rreth orës 19:00 në “Rrugën C”, në Prishtinë, më 28 nëntor të vitit të kaluar.

Prishtinë, vdes këmbësorja 56-vjeçare që u godit nga një veturë