Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ahmetaj: Trupave zgjedhore u duhet dëshmi për COVID-19, kërkesa nuk aplikohet për votuesit

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka folur rreth vaksinimit të trupave zgjedhore në ditën e zgjedhjve.

Ahmetaj tha se secili trup zgjedhor në ditën e zgjedhjeve do t’i lejohet qasja në punë nëse e plotëson njërin prej katër kritereve siç është vaksinimi, testi PCR, testi antigjen ose nëse ka dëshmi se e ka kaluar COVID-19 në gjashtë muajt e fundit.

“Në lidhje me vaksinimin dhe testet për trupat zgjedhore në ditën e zgjedhjeve është menaxheri i qendrës së votimit që duhet t’i kontrollojë në hyrje të secilës qendër të votimit në mënyrë që t’i lejohet qasja që të punojnë, qoftë si komisioner, qoftë si staf teknik. Do të lejohet qasja vetëm për të gjithë ata trupa zgjedhor që i plotësojnë njërin prej katër kritereve, testi i vaksinës, testi PCR, testi anti-gjen, ose që e ka kaluar COVID-in në gjashtë muajt e fundit”, tha Ahmetaj.

Sipas tij kjo kërkesë nuk do të aplikohet për votuesit.

“Nuk kemi vendim që i ndalon votuesit për të hyrë në vendvotim për të votuar kjo vlen vetëm për trupat zgjedhor”, tha Ahmetaj.

Sipas tij, në lidhje me qarkullimin e trupave zgjedhor që përfshihen edhe vëzhguesit dhe mediat e akredituara nga tash deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare, tha se KQZ përmes mekanizmave të komunikimit ka komunikuar me Policinë e Kosovës dhe përmes dhomës operative kanë kërkuar leje për të gjithë trupat zgjedhor që posedojnë ID të KQZ-së të njëjtit mund të qarkullojnë lirshëm.