Foto: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Facebook

AGK për vendimin e MINT: Liria e medias dhe e shprehjes asnjëherë nuk ka qenë më në rrezik

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka konsideruar vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pezullimin e licensës së biznesit të televizionit Klan Kosova si të pargumentuar, pa specifikim të bazës ligjore dhe pa paralajmërim.

AGK është shprehur thellësisht e shqetësuar lidhur me këtë veprim, siç e quan ajo të paprecedentë.

“AGK-ja, e konsideron veprimin e qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si të paprecedentë në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje direkte për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të Klan Kosovës” – thuhet në reagimin e Asociacionit.

Në veçanti, AGK thotë se është e shqetësuar me fatin e gazetarëve, kameramanëve dhe punëtoreve të tjerë të mediumit, të cilët sipas saj do të afektohen direkt negativisht nga ky vendim arbitrar.

“Konsiderojmë gjithashtu që ky vendim është marrë për të dërguar mesazh tek mediat tjera dhe është dëshmi e pakontestueshme që liria e medias dhe e shprehjes asnjëherë nuk ka qenë më në rrezik se sa aktualisht. AGK-ja, do të jetë në kontakt me organizatat partnere ndërkombëtare për lirinë e medias për të denoncuar këtë akt të Qeverisë” – ka shkruar tutje AGK.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka marrë sot vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.

Ministria ka njoftuar ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

“Sipas të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë”- thuhet në njoftim.

Televizioni Klan Kosova po ashtu ka reaguar pas këtij vendimi të MINT.

Sipas televizionit, ky veprim është i padrejtë, arbitrar dhe me premisa autokratike, i pabazuar në ligj, dhe tentim i shkeljes së lirisë së medias.

Në reagim thuhet se Klan Kosova asnjëherë deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Republikës së Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime.