AGK: Ekipi i RTK-së dje u pengua në Zubin Potok

Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikatë ka thënë se e ka marrë me shqetësim lajmin për ndalimin e ekipit të RTK-së, në Zubin Potok, derisa ishin duke xhiruar.

Sipas AGK-së, ekipi i përbërë nga kameramani Mumin Jashari dhe dy pjesëtarët tjerë Zymer Leci dhe Arben Jashari edhe pse kishin leje nga KFOR-i për xhirime në Zubin Potok, dje më 13 gusht, janë penguar të xhironin e më pastaj janë përcjellë për në stacionin policor.

“Dje kemi qenë zyrtarisht duke xhiruar Liqenin e Ujmanit. Kemi pasë leje nga KFOR-i dhe Policia për xhirim me dron. Duke filmuar, fillimisht ka ardhë një veturë, i ka kontrolluar targat e automjetit tonë, janë interesuar se kush jemi dhe kanë shkuar. Pastaj kanë ardhë edhe dy vetura me katër persona. Dy prej tyre kanë qenë me një uniformë që shkruante ‘sigurimi’, në gjuhën serbe. Ata kanë fotografuar gjatë gjithë kohës dhe kanë kërkuar që t’i ndërpresim xhirimet”, citohet të ketë thënë kameramani Jashari për AGK-në.

Por, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se nuk është penguar ekipi i RTK-së në xhirime, por ka qenë një keqkuptim.

“Nuk është punë pengimi. Ata xhirimin e kanë realizu. Ne kemi pas dy vendime, sepse ata kanë xhiru me dron. Një vendim ka qenë se e ka leju xhirimin me dron, ndërsa vendimi tjetër ka qenë se nuk ia kanë aprovu xhirimin me dron. Veq problemi ka qenë me data, ngatërrim”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, personat që e kanë ndaluar ekipin e RTK-së kanë qenë zyrtarë policor dhe ndalesa ka qenë për të verifikuar se a e kanë pasur lejen për xhirim.