Zëvendëskryeministri i Parë për Integrime Evropiane, Zhvillim, dhe Dialog, i Kosovës, Besnik Bislimi

Agjenda ERA 2, Bislimi thotë se nga 341 reforma janë zbatuar 79

Zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi ka thënë se nga 341 reforma në kuadër të programit ERA 2, janë zbatuar vetëm 79 prej tyre.

Këto deklarime, Bislimi i bëri në raportimin e tij para Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës.

“Kemi 15 prioritet të cilat janë të shprehura përmes 341 treguesve, prej të cilave 87 janë reforma legjislative ndërsa 254 janë reforma zbatuese, deri tani niveli i zbatimit është 79 reforma janë zbatuar, në zbatim e sipër janë 108 reforma, me vonesa janë 105 reforma, në të ardhmen pritet të fillojnë 49 reforma”, tha ai duke treguar se disa reforma tjera kanë nisur të zbatohen kurse në disa ka vonesa.

Më së shumti reforma sipas Bislimit ka zbatuar Ministria e Punëve të Brendshme.

Ai tha se duhet bashkëpunim i ngushtë mes Qeverisë dhe Kuvendit për implementimin e plotë të agjendës ERA 2.

Blerta Deliu Kodra, deputete e Partsë Demokratike të Kosovës (PDK) tha se Agjenda e Gjelbër në raport për Reformat Evropiane ka ngecë duke përmendur disa projektligje.

“Plani është i cunguar dhe nuk është i përmbushur siç është dashur”, shtoi ajo.

Bislimi nuk është pajtuar me deklaratën e deputetes Deliu Kodra duke thënë se ka ngecje në disa reforma por jo në të gjitha.

“Një plan 24 muajsh, pas gjashtë muajsh ka implementin 50 për qind”, tha ai duke shtuar se mund të presin implementin të ERA 2 shumë më mirë se sa herëve të kaluara.

Time Kadrijaj, deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha se ka ngecje në agjendën legjislative.

“E keni përcaktu një agjendë legjislative dhe është dasht me ardh në afate të caktuara. Ne i mirëpresim ato ligje do ta keni përkrahjen tonë si opozitë. I mirëpresim të arriturat”, tha ajo.

Agon Batusha, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) tha se performanca shihet që është më e mire se në ERA 1.

“Për çështjen e Kuvendit varen nga vullneti politik… Shpresojmë që partitë opozitare të njëjtin vullnet që e shprehën këtu ta shprehin edhe në seancën e Kuvendit t`i votojnë e mos të na lënë vetëm”, tha ai.

Bislimi, shtoi se implementimi jo i kënaqshëm i ERA 1 mos me ja atribuu vullnetit politik sepse atë kohë sipas tij janë ndërruar 4 qeveri dhe ka ndiku dhe pandemia.

“Tash nuk i kemi këto. Nëse ERA 2 nuk impleementohet me kohë fajin e parë e ka qeveria, pastaj institucionet e pavarura dhe Kuvendi”, tha ai.

Më 11 gusht të vitit të kaluar, Qeveria ka marrë vendim për miratimin Planit e Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II).

Ky dokument përcakton veprimet e reformave për zbatim të fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës për procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në BE.

Këto prioritete shërbejnë në përmbushjen e detyrimeve të parapara edhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).

Prioritetet e ERA II janë negociuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komisioni Evropian dhe janë lansuar nga Kryeministri dhe Komisioneri për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerimit. Ato do të zbatohen përmes këtij plani dyvjeçar të veprimit.

Ndërsa në tetor, ky plan i veprimit është miratuar edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.