Kolegji 'UBT' humb betejën e parë ndaj AKA-s për standardet e reja për akreditim

Gjykata e Prishtinës e ka refuzuar kërkesën e Kolegjit “UBT”, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKA), për standardet e reja për akreditim të programeve.

“Kolegji UBT” në tetor të këtij viti i ishte drejtuar Gjykatës së Prishtinës, me kërkesën që përkohësisht ta ndalonte zbatimin e vendimit të AKA-së, me të cilin ishin vendosur kritere shtesë për akreditimin e programeve të institucioneve të arsimit të lartë.

Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë të AKA-së në shator të këtij vitit, kishte vendosur kritere shtesë për IAL-të të cilat do të aplikojnë për akreditim të programeve në vitet vijuese.

Në këto kritere përfshihen që nga 1 tetori 2021 bartësit e programeve që hyjnë në proces të akreditimit në nivelin Bachelor duhet të kenë të paktën një publikim shkencor të indeksuar, ndërsa në nivelin Master duhet të kenë të paktën dy punime nga fusha të studimit në revista shkencore të indeksuara si autor të parë apo korrespodent dhe të tjera.

Ndërsa, që nga viti 2022, bartësit e programeve që hyjnë në proces të akreditimit, ri-akreditimit ose validimit në nivelin Bachelor duhet të kenë të paktën thirrjen akademike profesor asistentë dhe të paktën një publikim shkencor nga fusha e studimit.

Kurse, në nivelin Master, po ashtu duhet të kenë thirrjen akademike profesor asistentë dhe dy punime shkencore të fushën e studimeve, duke përjashtuar revistat e dyshimta apo shtëpitë botuese.

Bordi i KShC të AKA-së po ashtu ka vendosur që për programet që ofrojnë studime të mjekësisë së përgjithshme, përveç standardeve të përcaktuara në manual, institucionet e arsimit të lartë duhet të dëshmojnë me dokumente adekuate që i ka të funksionalizuar dhe në posedim të gjitha Klinikat  dhe shërbimet mjekësore.

Të pakënaqur me këtë vendim, Kolegji “UBT”, në tetor ushtruan padi për anulimin e këtij vendim, si dhe bën ankesë për pezullimin e këtyre vendimeve përmes caktimit të masës së përkohshme të sigurisë.

Padia e Kolegjit “UBT”

Sipas dokumenteve të siguruara nga KALLXO.com, Kolegji “UBT” e ka ngritur padinë, pasi sipas tyre vendimi i KShC-së është pa mbështetje ligjore dhe është i paqëndrueshëm.

Në padinë e Kolegjit “UBT” është thënë se ky vendim është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Po ashtu “UBT” ka konsideruar se “përcaktimi i dy revistave, ku janë përcaktuar kritere në pikën 5 të parimeve të Manualit për akreditim për hulumtim shkencor për bartësit e programeve të nivelit Bachelor dhe Master, janë në kundërshtim me nenin 3, paragrafin e 1 të Udhëzimin Administrativ për Parimet e Njohjes së Platformave dhe Revistave Ndërkombëtare”.

“KShC në mënyrë arbitrare ka përjashtuar tri platforma të tjera të cilat janë të parapara në këtë Udhëzim Administrativ”, thuhet më tej.

Përveç këtre kritereve, Kolegji “UBT” nuk është pajtuar as me standardet e reja që KShC i ka vendosur për strukturat menaxhuese/organizative të degës së IAL-ve, që duhet të përbëhet së paku nga: Drejtori/menaxheri i degës dhe një koordinator për çdo program të studimit të ofruar në degë.

Sipas Kolegjit “UBT”, caktimi i masës së përkohshme së sigurisë është e natyrës urgjente.

“Bazuar nga sa u tha në referatin e padisë, paditësi konsideron se ai tanimë e ka bërë të besueshme ekzistimin e kërkesës dhe të drejtës së tij subjektive për nxjerrjen e masës së përkohshme të sigurimit, pasi që ekziston rreziku që pa caktimin e masës së sigurisë, palët e paditura do të mund të pamundësonin dhe vështirësonin dukshëm realizimin e kërkesës dhe të drejtës subjektive të paditësit- si dhe BPrAL të tjerë, sa i përket përmbushjes së kushteve dhe kritereve për akreditim dhe riakreditim”, thuhet më tej.

Përgjigjet e Agjencisë së Akreditimit

Pas kësaj, Gjykata e Prishtinës më 28 tetor, në afat prej tre ditësh i kishte kërkuar Agjencisë së Akreditimit të Kosovës t’i dorëzojnë një përgjigje në padi.

Në përgjigje AKA i është përgjigjur pretendimeve të Kolegjit “UBT”, përmes së cilave ka thënë se AKA është agjencia e pavarur dhe është përgjegjëse për vlerësimin dhe promovimin e cilësisë së arsimit të lartë.

“AKA-ja shpall politikat, kriteret dhe standardet e saj për akreditim si dhe vendimet, rekomandimet dhe këshillimet për sa u përket institucioneve dhe programeve. Pra, Ligji për Arsimin e Lartë përcakton qartazi AKA-në si agjenci të pavarur, e cila ka mandat të bërjes së politikave dhe përcaktimit të kritereve dhe standardeve të cilësisë në arsimin e lartë”, thuhet më tej.

Sipas AKA-së, këtë e përcakton edhe Udhëzimi Administrativ për Akreditimin e IAL-ve, nr. 15/2018, si akt nënligjor i definon tutje kompetencat dhe përgjegjësitë e AKA-së.

“Sipas këtij udhëzimi administrativ, Neni 3, definon se: “AKA përcakton standardet dhe harton procedurat e saj për sigurimin e cilësisë, në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare për cilësi në arsimin e lartë”. Neni 4, paragrafi 2.1 i këtij UA përcakton se: “Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) është organ politik bërës dhe vendimmarrës i AKA-së”. Prandaj, të gjitha politikat që lidhen me sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, janë kompetencë ekskluzive e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) të AKA-së”, thuhet në përgjigje.

AKA i ka konsideruar absurde dhe të pa baza pretendimet e Kolegjit “UBT” se vendimi nuk kanë asnjë arsyetim.

“Kjo për faktin se KShC nuk ka nxjerrë vendim i cili atakon apo afekton IAL-të, mirëpo ka përditësuar manualin e saj për akreditim, dokument i cili përcakton kriteret, standardet dhe politikat për të gjitha IAL-të njëlloj, dhe i cili bazën ligjore e ka në dispozitat e lartshënuara (Ligji për Arsimin e Lartë dhe UA për Akreditim 15/2018)”, thuhet në përgjigjen e AKA-s.

“Pretendimi se platformat e përcaktuara nga AKA janë më të limituara dhe përjashtuese në krahasim me platformat e përcaktuara me UA të MASHT, nuk janë relevante për AKA-në. Ju njoftojmë se Udhëzimi Administrativ i hartuar nga MASHT ka për synim që të rregulloj procesin e avancimit akademik brenda Universiteteve Publike në Republikën e Kosovës dhe ky UA nuk ka të bëjë fare me publikimet si kriter për sigurim të cilësisë, dhe është kriter i vendosur nga MASHT përmes një Udhëzimi Administrativ i cili nuk i dedikohet fare Agjencisë për Akreditim”, thuhet në fund.

Sipas tyre, AKA ka vendosur si platforma të pranueshme të gjitha platformat të cilat kanë revista me kredibilitet, dhe që përjashtojnë revistat fiktive dhe manipuluese.

“Pra në platformat e AKA-së ekzistojnë dhjetëra mijëra revista brenda platformave Scopus dhe Web of Science, të gjitha të pranueshme për AKA-n, në të cilat stafi akademik i IAL-ve mund të publikoj lirshëm”, thuhet në fund.

Vendimi i Gjykatës së Prishtinës

Për këtë çështje, Gjykata e Prishtinës në seancën e mbajtur me 3 nëntor ka marrë aktvendim që të refuzohet si e pabazuar kërkesa e Kolegjit “UBT” për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të AKA-së për standarde të reja për akreditim, deri në vendosjen e çështjes së padisë.

Sipas aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com, Gjykata pas shqyrtimit të dokumenteve të bashkangjitura, ka gjetur se paditësi, që në këtë rast është Kolegji “UBT”, me asnjë provë nuk e ka bërë të besueshme pretendimin e tij se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të cilin e kërkon, nuk është në kundërshtim me interesin publik, kusht ky ligjor për shtyrjen e ekzekutimit, e i cili duhet të provohet nga paditësja.

“Në këtë kuptim, Gjykata vlerëson se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shtyrjen e ekzekutimit, andaj konform nenit 22.7 të Ligjit për Konflikt Administrativ, vendosi si në dispozitiv të këtij aktvendimi”, thuhet më tej në aktvendim.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Kolegjit “UBT”, për ta pyetur nëse e kanë pranuar aktvendimin e gjykatës si dhe a do të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka pranuar përgjigje.

Në shtator të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar se Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vendosur kritere shtesë sa i përket akreditimit të programeve të institucioneve të Arsimit të Lartë, përveç atyre të përcaktuara me ligjet e Kosovës.

Këto kritere nuk ishin pritur mirë nga ana e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve të Publike dhe kryetarit të Komisionit për Arsim, Ardian Gola, i cili i kishte thirrur në raportim anëtarët e bordit të KShC-së për të kuptuar se pse kanë vendosur standarde të reja.

KShC raporton në Komisionin për Arsim: S’ka akreditim pa publikime shkencore

Konferenca e Rektorëve kërkon që të shtyhen afatet e kritereve shtesë për akreditim të programeve

.