Ujmani

Foto : Denis Sllovinja

Abrashi: Ujmani po politizohet sikurse demarkacioni me Malin e Zi

Anëtari i delegacionit të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi dhe ministri Infrastrukturës, Arban Abrashi, në një intervistë në emisionin “Jeta në Kosovë” ka treguar se pse është hapur tema e Ujmanit në Uashington.

Sipas Abrashit, çështja e Liqenit të Ujmanit është politizuar sikurse çështja e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Ujmani është ditur që diskutohet dhe është politizuar shumë edhe unë po shoh shumë media dhe njerëz që po e diskutojnë. E kam një ndjesi që po krijohet një kauzë politike sikurse me demarkacionin, ku i kemi humbur disa vite”, tha Abrashi.

Ministri siguroi se marrëveshja në Uashington sa i përket Liqenit të Ujmanit ka të bëjë vetëm me fizibiltet.

“Sepse duhet me u përmbyllë gjitha çështjen me Serbinë. Nuk kemi kohë më me mbajtë Serbinë me asnjë politikan, sepse njerëzit po fitojnë zgjedhje edhe këtu edhe atje. Në Ujman do të bëhet vetëm fizibiltet nuk është diçka tragjike. Veç fizibilitet do të përfundojë”, tha ai.

“Ka qenë vetëm pala amerikane që e ka shti në agjendë Ujmanin. Ne kemi qenë të ftuar tek ata dhe ata e kanë caktuar”, shtoi ai.

Më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u dakorduan në një dokument që të bëhet një studim i fizibilitetit mbi këtë pasuri ujore e cila është mbi 80 për qind në territorin e Kosovës.

Në pikën 7 të marrëveshjes thuhet se dy palët, pra Kosova e Serbia, do të punojnë me SHBA-të për studim fizibiliteti për ndarjen e liqenit të Ujmanit, si burim uji e energjie.

www.kallxo.com

.