Abelard Tahiri përcjell bastisjen te shtëpia e Hashim Thaçit

Që nga orët e para të mëngjesit, bastisja te shtëpia e ish-presidentit Hashim Thaçi është duke vazhduar ende.

Bastisja po kryhet një ditë pasi Thaçi udhëtoi drejt Hagës pas konfirmimit të aktakuzës për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte nga Gjykata Speciale.

Jashtë shtëpisë së tij sot kanë qëndruar njësitet e Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Jashtë rrethojave të shtëpisë së Thaçit po qëndron edhe Abelard Tahiril, deputet i PDK-së, i cili një kohë ka qenë këshilltar i Thaçit.

Ekipi i KALLXO.com ka dërguar disa fotografi afër shtëpisë së Thaçit në Çagllavicë.

Bastisje gjatë mëngjesit të sotëm po ndodhë edhe në shtëpinë e Rexhep Selimit dhe në banesën e Kadri Veselit.

Thaçi pritet që të paraqitet para gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë të hënën, 9 nëntor, në orën 15:00

Dy ditët e fundit është bërë e ditur që janë konfimuar aktakuzat për kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Dje, Thaçi ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës për krime lufte dhe krimekundër njerëzimit ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara dhe ka udhëtuar për në Hagë bashkë me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, dhe shefin e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.