Abdixhiku për ndaljen e punimeve në “Rrugën A”: Pushteti punë s’bën vet e punën e tjetrit s’e duron dot

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Komerciale për pezullimin e punimeve në Rrugën A.

Abdixhiku ka thënë se punimet në këtë rrugë po ecnin në kohë rekorde por që sipas tij “në Kosovën e popullistëve puna krijon kundërshtarë “.

Kreu i LDK-së thotë se gjykatësja që e ka marrë vendimin për ndalimin e Rrugës A po del të jetë motra e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli.

“Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet. Dhjetra mijëra banorë pa kolektor e në kundërmim, një kryeqytet pa projektin më të madh kapital. Këta janë përplot mllef e urrejtje; dhe fatkeqësisht urrejnë qytetarët e vet. Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot”- ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Prishtina dhe qytetarët e kryeqytetit, le ta shohin këtë çmenduri. Fillimisht me bllokim buxheti deri në gusht; tani me bllokim projekti me kapje e familjarë”- shton ai.

Gjykata Komerciale e Kosovës ka marrë vendim për të pezulluar punimet në rrugën “Jim Xhema”, e njohur si “Rruga A” në Prishtinë.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar i pari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se ky vendim ka atakuar interesin publik.

Punimet në “Rrugën A” në Prishtinë kanë filluar në prill të këtij viti.

Për këtë projekt është paralajmëruar të ketë 6 korsi gjithsej, prej të cilave të veçantë për autobusë, shtigje për biçikleta, qasje në rrugët anësore dhe ndërlidhje me “Rrugën B”.

Gjykata Komerciale merr vendim për të pezulluar punimet në “Rrugën A”