Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku: Kryeministër lidhe Besnik Bislimin

Debati në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet për rritjen e çmimeve ka përplasur kryetarin e LDK-së, Lumir Abdihxiku me zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Derisa Abdixhiku ishte duke mbajtur fjalim, ka reaguar zëvendëskryeministri Bislimi dhe kjo çuar në reagimin e kreytarit të LDK-së.

“Kryeministër, t‘lutem lidhe zëvendëskryeministrin, trego respekt minimal në fjalim. Mund ta bëjmë edhe ndryshe, por e keni mundësinë këtu në mikrofon të diskutoni. Lidhe”, është shprehur Abdixhiku.

Pas kësaj ka intervenuar kryeparlamentari Glauk Konjufca, duke ja tërhequr vërejtjen për gjuhë jo parlamentare.

Abdixhiku gjatë këtij fjalimi tha se Qeveria Kurti nuk po i njeh krizat dhe po i konsideron të gjitha si kriza globale.

“Qeveria jonë nuk po i njeh krizat dhe madje e ka bë një praktikë të zakonshme çdo krizë po i konsideron si globale. Kriza e pandemisë, globale, kriza e energjetikes, krizë globale, kriza e rritjes së çmimeve, krizë globale. Krejt në rregull por çfarë po bëni ju për ti trajtuar ato”, ka thënë Abdixhiku.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë të jashtëzakonshme me një pikë në rend dite- Debat parlamentar lidhur me rritjen çmimeve.

Ditëve të fundit në Kosovë përveç çmimit të naftës është vërejtur rritje e çmimeve edhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.

Disa nga produktet që pësuan rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.