Abdixhiku: Kosova nuk e meriton një ditë të tillë

Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rrëmbimit të tre policisë të Kosovës, duke thënë se vendi nuk e meriton një ditë të tillë.

Abdixhiku ka thënë se ‘ky është borxhi” si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë.

Ai ka kërkuar përgjegjësi politike institucionale nga kryeministri dhe vartësi i tij.

“Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri” – thotë ai.

“Të tre policët e rrëmbyer i presim në shtëpi. Ky është borxhi ynë si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë. Lirimi i tyre i menjëhershëm është domosdoshmëri. Për këtë lirim, bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i paalternativë. Prandaj, sot, bie dhe perdja e naiviteti popullist që këtë bashkërendim e shihte si dobësi. Dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar” – ka thënë lideri i LDK-së.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur indinjatën e thellë për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë.

Sipas PDK-së, ky aksion tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione.

“Kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës! Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon”- ka thënë kryetari i PDK-së Memli Krasniqi.