Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku: Atë që e fituam më 24 shtator në Banjskë duhet ta fitojmë në politikë dhe diplomaci

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se qëllimi i sulmit terrorist synonte krijimin e një realiteti të ri në veri.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kishin dhënë përgjigjen më adekuate të mundshme, që në bashkërendim me aleatë, me profesionalizëm të madh e me guxim patriotik, e diela e nisur me tragjedi, u shndërruar në ditë të triumfit.

“Qëllimi ishte i qartë siç u kuptua nga vetë sponsorizuesit e sulmit terrorist, krijimi i një realiteti të ri në veri dhe për krijimin e këtij realiteti, duheshin edhe viktima. Ato vinin në formën e pelegrinëve vizitorë në manastirin e Banjskës si masë nxitëse e përplasjes së më vonshme të Policisë së Kosovës me popullsinë civile në veri”- tha Abdixhiku.

“Si përgjigje ndaj këtij sulmi, institucionet tona kishin dhënë përgjigjen më adekuate të mundshme. Në bashkërendim me aleatë, me profesionalizëm të madh e me guxim patriotik, e diela e nisur me tragjedi, u shndërrua në ditë të triumfit të së drejtës ndaj terrorit. Duhet të falënderoj policët dhe të gjithë pjesëmarrësit e operacionit”- shtoi ai.

Kreu i LDK-së tha se partia e tij do të mbështesë institucionet e Kosovës në përballje të tilla, teksa shtoi se atë që Kosova e fitoi më 24 shtator në Banjskë duhet ta fitojë në politikë dhe diplomaci.

“LDK me të gjitha kapacitetet e saj do të mbështesë gjithëherë institucionet e Kosovës në përballje të tilla. Sot na duhet mençuri, atë që djemtë dhe vajzat tona e fituan në ditën e 24 shtatorit në Banjskë duhet ta fitojmë në politike e diplomaci. Tani radhën e ka beteja politike. Është përgjegjësi e Qeverisë dhe do ta ketë mbështetjen tonë që këtë situatë ta përkthejë në avancim të pozicionit tonë ndërkombëtar”- ka deklaruar Abdixhiku.

Abdixhiku tha se faktet janë të qarta se Kosova nuk e ka sulmuar Serbinë.

“Faktet janë të qarta Kosova nuk e ka sulmuar Serbinë. Kosova nuk ka vrarë një polic të një shteti tjetër, nga Kosova nuk janë nisur trupa e mjete ushtarake ndaj një shtetit tjetër, nuk janë kthyer trupa të armatosura pasi kanë vrarë policin e një shteti tjetër. Kosova nuk ka vendosur trupa të armatosura në objekte fetare, Kosova nuk ka rrezikuar popullsi civile. Kosova me profesionalizëm ka asgjësuar rrezikun terrorist”- tha kryetari i LDK-së.

Një sulmin terrorist i së dielës, fillimisht me armatim të rëndë ishte kryer një sulm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës, rreth orës 3 të mëngjesit. Një polic kufitar Afrim Bunjaku u vra nga ky sulm e një polic tjetër u plagos.

Pasi u mor informacioni për sulm ndaj policisë grupi terrorist u bart në Banjskë dhe u vendos në Manastirin e Banjskës. Për disa orë ata sulmuan policinë e më pas u arratisën.

Policia në bastisjet që ka kryer në shtëpi private përreth manastirit gjeti dhjetëra armatime.

Deri më tani të dhënat zyrtare flasin për 8 të arrestuar, përfshirë edhe pjesëtarë të grupit terrorist dhe 3 nga i njëjti grup të vrarë.