Abazi: MCC nuk ka bllokuar fondet, qeveria ilegale po operon me gënjeshtra

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka thënë që lajmet për bllokimin e fondeve të Korporatës së Sfidave të Mileniumit të Qeverisë së SHBA-së (MCC) janë gënjeshtra.

Përmes një postimi në facebook, Abazi ka thënë se me kontratën e Contour Global Kosova rrezikon t`i humb 19 milionë euro.

“Është gënjeshtër si shumë të tjerat se MCC kishte bllokuar fondet. Të gjithë komunikimin me përfaqësuesit e MCC e kemi në emaila, si në takimet e drejtpërdrejta, poashtu edhe gjatë atyre virtuale përgjatë pandemisë COVID 19, lidhur me punën dhe angazhimin e MCC në disa studime fizibiliteti, që në fakt janë të filluara në mënyrë të gabuar, sepse nuk janë pjesë e ndonjë plani zhvillimor strategjik, ashtu siç nuk ka qenë edhe kontrata me Contour Global të nënshkruar nga qeveria e kaluar e Haradinaj e që Kosova rrezikon të humb koti 19 milionë euro”, ka shkruar Abazi.

Abazi ka thënë që qeveria Hoti është duke operuar me gënjeshtra, duke thënë se fondacioni përgjatë viteve nuk i ka shpenzuar as edhe 1 milion euro në Kosovë.

“Qeveria ilegale po vazhdon të shërbehet dhe operojë me gënjeshtra. MCC nuk i ka 200 milionë euro dhe përgjatë disa viteve, ajo nuk ka shpenzuar as edhe 1 milion euro në Kosovë, e që poa shtu siç edhe me shumë Fonde tjera të shpenzuara pa plan, rezultatet kanë qenë minimale për të mos thënë edhe me efekte negative. Natyrisht duke qenë pa legjitimitet e njëkohësisht edhe pakurrizore, qeveria ilegale vazhdon të kapet për fije të kalbura për të shpëtuar e mbuluar konfliktet e përplasjet për zyra e karrige”, ka shkruar tutje ai.

“Këto fjali e informata KOTI, qytetarët i kanë dëgjuar që 20 vite dhe nuk ju besojnë, e tash më kjo është arsyeja që mbi 230 mijë qytetarë kanë nënshkruar për zgjedhjet e reja për të përfunduar qeverinë e Thaçit”, ka theksua Abazi.

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit në mars 2020 kishte pezulluar implementimin e disa projekteve të financuara nga ShBA-ja në Kosovë.

Kjo ishte bërë për shkak të refuzimit të Qeverisë së Kosovës në atë kohë që ta  largojë në mënyrë të menjëhershme tarifën 100 përqind ndaj mallrave serbe.

Por Qeveria Kurti muaj më pas kishte hequr tarifën dhe kishte vendosur masa reciprociteti ndaj Serbisë.

Ndërsa, Qeveria e re, e drejtuar nga Avdullah Hoti, ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.

Korporata e Sfidave të Mileniumit të Qeverisë së SHBA-së (MCC) përmes një deklarate, ka mirëpritur heqjen e reciprocitetit nga Kosova për produktet e Serbisë.

MCC me këtë rast ka bërë të ditur se do të rifillojë implementimin e projekteve në Kosovë, për zhvillim ekonomik, të cilat i kishte pezulluar në mars të këtij viti për shkak të tarifës 100 përqind.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin zgjidhjen e çështjes së tarifave të Kosovës dhe heqjen e masave reciproke për mallrat serbe. MCC është e kënaqur që të rifillojë zbatimin ‘threshold program’ dhe zhvillimin e programit të propozuar kompakt në Kosovë. MCC pret një partneritet të vazhdueshëm, të fortë me popullin e Kosovës dhe qeverinë e tyre ndërsa ne punojmë së bashku për të zvogëluar varfërinë përmes rritjes ekonomike”, thuhet në deklaratë.