Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AAK kundër bashkëpunimit me Listën Serbe për rrëzimin e qeverisë Kurti

Lista Serbe ka marrë edhe një refuzim nga një parti shqiptare për ftesë për bashkëpunim në rrëzimin e Qeverisë Kurti. Nga AAK kanë deklaruar se nuk do t’i japin përkrahje një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë, nëse propozohet nga Lista Serbe.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka mohuar të gjitha format e bashkëpunimit me Listën Serbe për ta rrëzuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.

“Shkurt e ke, jo. Dy herë jo”, tha ai.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili në qeverinë Kurti udhëheq ministrinë për kthim dhe komunitete ka thënë sot për Klan Kosovën se do të rreshtohen me opozitën për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Arben Gashi shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka mohuar se do të bashkëpunojnë me LS për ta rrëzuar qeverinë e Kurtit.

“Jo, qeveria nuk bie asnjëherë për shkak të Listës Serbe”, ka thënë Gashi.

Dje, partia e Rakiç Lista Serbe ka thënë se qëllimi i vetëm i tyre është rrëzimi i qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

“E vetmja gjë e vërtetë që tha ministri i frikësuar Sveçla në deklaratën e tij është se Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, i cili është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Arben Gashi i përgjigjet Listës Serbe, thotë se nuk e rrëzojnë qeverinë Kurti me ta