Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj kërkon nga Qeveria që të reagojë pas paralajmërimit për rritje të çmimeve të artikujve elementarë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka konsideruar si të papërballueshme rritjen e çmimeve të artikujve elementarë.

Përmes një postimi në Facebook, kreu i AAK-së ka theksuar se pikërisht për këtë temë të enjten është thirrur debat parlamentar.

“Aleanca ka thirrur debat parlamentar për ngritjen enorme të çmimeve të artikujve elementar për këtë të enjte. Ndërkohë veç paska rrjedhur një propozim i ZRRE për shtrenjtimin e rrymës që për konsumatorin mesatar familjar mund të mbërrijë mbi 80 për qind”, ka shkruar ai.

Haradinaj po ashtu i ka propozuar Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti që të ndajë buxhet për mbulimin e kostos shtesë të energjisë elektrike.

“I bëj thirrje Qeverisë, që në këtë periudhë kur inflacioni ka rritur çmimin e shportës së përditshme të qytetarëve, të ndajë buxhet për mbulimin e kostos shtesë nga çmimi i tanishëm i energjisë. Kjo s’duhet të mbetet në nivel diskutimi të papërcaktueshëm të qeverisë”, ka theksuar ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë, duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovatë të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatët e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Rikthehen bllok-tarifat e energjisë, konsumatorët që do të preken nga rritja e çmimit të energjisë