Asamblistja e Prishtinës, Arbnora Ajeti kalon në PDK | Foto: PDK

Prishtinë, asamblistja e AAK-së i bashkohet PDK-së

Grupit të asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë iu është bashkuar Arbnora Ajeti.

Arbnora Ajeti deri sot ka qenë asambliste e AAK-së.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili teksa i uroi mirëseardhje.

“Me ardhjen e Arbnores, grupi i asamblistëve të PDK-së do të rritet nga 9-të në 10-të. Të gjithë prej tyre janë të gatshëm, të vendosur e të përgjegjshëm për t’u angazhuar secilën ditë, që ta shtyjmë përpara projektin tonë në shërbim të qytetarëve dhe qytetit. #PrishtinaNaBashkon ka qenë motoja e fushatës tonë zgjedhore – Prishtina na bashkon do të jetë edhe motoja ynë qeverisëse, deri në ndërtimin e një qyteti të gjelbër e digjital”, ka shkruar Ismaili në rrjetin social “Facebook.

Me aderimin e Ajetit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 10 ulëse. Ndërkaq asamblistë të AAK-së janë Endrit Gashi, Kushtrim Mushica, Taulant Maxharraj dhe Valbona Ajeti. Më së shumti ulëse ka Lëvizja Vetëvendosje.

PDK ka formuar koalicion me partinë fituese në Prishtinë – Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Komuna e Prishtinës udhëhiqet nga Përparim Rama, ndërsa nënkryetarja e parë është Donjetë Sahatçiu nga PDK.

Sipas marrëveshjes, PDK-së i takojnë edhe katër drejtori.