Besnik Tahiri - AAK, Foto: KALLXO.com

AAK kërkon debat parlamentar për tri vjetët e Qeverisë Kurti

Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar mbajtjen e një debati parlamentar në lidhje me trevjetorin e Qeverisë Kurti 2.

“Është tepër e rëndësishme të trajtohet sa më shpejtë kërkesa jonë për një debat parlamentar për trevjetorin e qeverisë. Kemi hy në vitin e 4-të dhe jemi në një vit zgjedhor. Kosova është duke stagnuar në ekonomi, mirëqenie, punësim e drejtësi …”- ka thënë ai.

Tahiri ka bërë të ditur se përmes mocionit kërkohet edhe dorëheqja e kryeministrit Kurti.

Sipas tij, fakti që Kurti ka folur për zgjedhje i bie që ai është dorëzuar.

Deputeti Tahiri ka interpretuar edhe mënyrat se si mund të largohet kryeministri.

“Janë tri mënyra se si një kryeministër mund të largohet: dorëheqja, kur të votohet një Mocion mosbesimi dhe e treta kur shpëndahet Kuvendi. Ne, qe një vit e gjysmë kemi kërkuar që të shkarkohet Kurti përmes një Mocioni të mosbesimit, por kjo gjë nuk është arrit. Së fundmi është pa që Kurti është dorëzuar, prandaj ai duhet të dorëhiqet. Mos t’ja lë fajin e opozitës”- u shpreh Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë të mbajtur më 25.03.2024.

Ai i ka përmendur edhe disa nga sfidat me të cilat pretendon se po përballen qytetarët e Kosovës.

“Ne si AAK kemi kërkuar shkarkimin e tij. Kurti në strategjinë e tij e ka viktimizimin, por ky viktimizim nuk kalon. Ballafaqimi i parë me Kurtin do të jetë për tri vjet qeverisje. Ke problem me rezervën shtetërore, ke problem me energji, mbi 200 milionë euro tenderë njëburimorë, e nuk po flasim për nepotizëm”- ka thënë Tahiri.

Oferta e kryeministrit Albin Kurti për partitë opozitare se “bashkë mund t’i bëjnë numrat për ta shpërndarë Kuvendin”, ka rikthyer debatin për zgjedhje të parakohshme në vend.

Tahiri ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta votojnë mocionin e iniciuar kohë më parë nga AAK-ja për shkarkimin e Kurtit.

Ai ka thënë se në këtë proces janë të mirëseardhura edhe votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Tahiri i AAK-së fton deputetët e LVV-së që ta mbështesin mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti