A do të garojë Burim Berisha për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës?

Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëheq këtë komunë për katër mandate radhazi, ndërsa në tri mandate ka fituar bindshëm duke e marrë mandatin e kryetarit  në raundin e parë të zgjedhjeve, pa balotazh.

Megjithatë, ai nuk ka vendosur ende se a do të garoj për këtë pozitë në zgjedhjet e ardhshme lokale që mbahen këtë vit.

“Ende nuk kam vendosur, nuk e di”, tha Berisha për KALLXO.com.

Berisha, i cili është duke e ushtruar mandatin e katërt në Komunën e Fushë Kosovës, në zgjedhjet e kaluara në vitin 2017,  ka fituar pa balotazh me 63.84 për qind të votave.

Në zgjedhjet e vitit 2013, Berisha ka fituar në raundin e parë, pa balotazh me 64.33 për qind të votave.

Pa balotazh Berisha kishte fituar edhe në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2009 me 56.99 për qind të votave.

Kurse në zgjedhjet e vitit 2007 sipas KQZ-së në raundin e parë LDK kishte arritur të fitoj vetëm 35.02 për qind, kurse në raundin e dytë në balotazh Berisha kishte fituar me 55.77 për qind të votave duke lënë pas kandidatin e PDK-së Ahmet Krasniqi me 44.23 për qind.