A do e pranonte deputeti Haxhi Avdyli pozitën e ministrit të Shëndetësisë?

Deputeti i partisë Guxo, Haxhi Avdyli, i është përgjigjur pyetjes se a do ta pranonte pozitën e ministrit të Shëndetësisë nëse do i propozohej.

“Unë në politikë jam për kauza e jo për poste por në të njëjtën kohë nuk u ik përgjegjësive. Kur je në politikë je i gatshëm ta marrësh në dorë “edhe pataten e nxehtë”. Ndonjëherë në sprova mund të verifikohet se sa je i aftë të zgjidhësh problemet” – është shprehur Avdyli në emisionin “Kallxo Përnime”.

Deputeti i partisë Guxo tutje ka thënë se kjo pozitë nuk do të ndikojë në stabilitetin e koalicionet LVV-GUXO.

“Sidoqoftë unë mendoj që në kohën e duhur kryeministri do ta marrë zgjidhjen dhe ne si Guxo nuk e kemi problem dhe nuk ka me ndiku në stabilitetin e këtij koalicioni a na jep a nuk na jep këtë pozitë” – ka thënë ai.

Lidhur me emërimin e ministrit të ri të Shëndetësisë ka folur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta.

Shkreta ka thënë se kjo çështje do të diskutohet brenda koalicionit qeverisës.

“Kjo është një çështje që diskutohet brenda koalicionet qeverisës, dhe për këtë është kompetent kryeministri, bashkë me listën Guxo, ne nuk e kemi të përcaktuar se si të ndahen ministritë, por çështjet brenda koalicionet do të diskutohen dhe do të dalim me një zgjidhje meritore” – ka thënë Shkreta.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i kësaj Ministrie gati një vit pas emërimit të tij në këtë pozitë.

Latifi ishte emëruar në krye të Ministrisë së Shëndetësisë më 16 nëntor të vitit të kaluar.

Pas kësaj dorëheqjeje, deputeti i partisë Guxo, Burim Meta, ka pyetur se sa ministra të Shëndetësisë duhet të ndërrohen që kjo pozitë t’i takojë partisë së tij.

“Edhe sa Ministra te Shëndetësisë duhet të ndërrohen, që ky pozicion në fund ti takoj GUXOs !?”- ka shkruar Meta në Facebook.