5 vjet nga miratimi në Kuvend të Gjykatës Speciale

Me 3 gusht të vitit 2015 deputetë të Kuvendit të Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme miratuan ndryshimet kushtetuese, që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, për krime të luftës.

Me 82 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim Kuvendi i Kosovës miratoi kërkesën e faktorit ndërkombëtar për themelimin e kësaj gjykate.

Kjo ishte hera e dytë që kjo pikë ishte futur në rendin e ditës, pasi me 26 qershor 2015 kishte dështuar votimi.

Debati gjatë seancës së 3 gushtit 2015 ishte zhvilluar me debate nga pozita dhe opozita në atë kohë.

Kadri Veseli, në atë kohë kryetar i Kuvendit, kishte thënë se kjo gjykatë nuk vjen ‘prej Beogradit’.

“Gjykata Speciale kurrë nuk besoj që ka ardhë prej Beogradi. Do ta votojmë se është në të mirën e vendit tonë”, kishte thënë Veseli gjatë kësaj séance.

Kurse kryeministër në atë kohë ishte Isa Mustafa, i cili kishte kërkuar nga deputetët që t’i votojnë ndryshimet kushtetuese. Ai thoshte se Gjykata Speciale duhet të themelohet.

“Kosova nuk mund të ndërtohet dhe zhvillohet duke u izoluar nga vendet mike. Përkrahja nga bashkësia ndërkombëtare ka qenë dhe mbetet qenësore për Kosovën. Kërkoj nga ju që t’i tejkaloni ndasitë politike dhe t’i miratoni këto ndryshime”, kishte thënë Mustafa gjatë kësaj séance.

Tentimi për shfuqizim të Gjykatës

Në fund të vitit 2017 disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kishin tentuar që ta shfuqizojnë vendimet e Kuvendit, për Gjykatën Speciale.

Ishin mbledhur 43 nënshkrime për një seancë tjetër për shfuqizimin e kësaj gjykate.

Kjo kishte bërë që ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë të reagojnë.

Ambasadori britanik në Kosovë në atë kohë, Ruairi O’Connell kishte thënë se kjo mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën.

“Ne kemi qenë gjithmonë miq të sinqertë të Kosovës. Por nëse miratohet sonte kjo, mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga paslufta”, kishtë thënë ambasadori britanik.

Ndërsa ai amerikan, Greg Delawie, tentimin për zhbërjen e Speciales e kishte quajtur ‘thikë pas shpine’.

“Ne nuk kemi investuar me kaq përkushtim për suksesin e Kosovës, për ta parë teksa shkatërron të ardhmen e vet duke e zhbërë ligjin për Gjykatën Speciale”, kishte thënë ambasadori amerikan.

Në të njejtën kohë, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kishin filluar një peticion me nënshkrime, për zhbërjen e Gjykatës.

Aktakuza e parë

5 vjet pas themelimit, me 24 qershor 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit, për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit, me 24 prill 2020 Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Ndërkohë presidenti Thaçi për katër ditë me rresht është intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës në seancën e e 30 korrikut, ka miratuar amendamentin për ndarjen e 20 milionë eurove për të akuzuarit potencialë të Gjykatës Speciale.