Pas katër ditësh intervistim në Hagë, Thaçi kthehet sot në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi kthehet sot në Kosovë, pas katër ditëve intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Siç kanë bërë të ditur zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, Thaçi do të pritet në Pikën Kufitare në Morinë sot në ora 19:30.

Me anë të një fotografie, deputeti i PDK, Gazmend Bytyqi ka bërë thirrje te qytetarët që të dalin në pritje të presidentit me masa mbrojtëse duke përdorur maske dhe ruajtur distancën.

“Mire se vjen, President! Të gjithë në pritje të heroit të luftës dhe paqes”, thuhet në fotografi.

Po ashtu, qytetarëve u është bërë thirrje që të kenë edhe flamuj me vete.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për katër ditë rresht është intervistuar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Marrja në pyetje me orë të tëra e presidentit po ndodh pak kohë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se ka ngritur aktakuzën ndaj presidentit Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe ndaj disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Ndërkaq, deri më tani kjo aktakuzë ende nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Për konfirmimin apo jo të aktakuzës, gjyqtari i procedurës paraprake ka afat gjashtë muaj. Duke e pasur parasysh se aktakuza i është dorëzuar Dhomave të Specializuara më 24 prill 2020, atëherë koha e fundit kur mund të konfirmohet aktakuza është 24 tetori i këtij viti.

Intervistimet e gjata të presidentit para vendimit rreth aktakuzës