Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Në kohë pandemie u ndanë 20 milionë euro për personat që mund të akuzohen nga Specialja

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për rishikimin e buxhetit 2020, të mbajtur të enjten më 30 korrik, u votua që të ndahen 20 milionë euro për personat që mund të akuzohen nga Gjykata Speciale.

Më herët ishte paraparë shuma prej 3.5 milionë euro, ndërsa  shuma prej 20 milionë eurove u miratua përmes një amendamenti të propozuar nga deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi.

“Ky amandament ka të bëjë me rritjen e buxhetit për përkahjen në Gjykatën Speciale, prej 3.5 milionë sa ka qenë, në 20 milionë. Kjo e ka marrë përkrahjen e Komisionit për Buxhet dhe Transfere”, tha gjatë seancës Abrashi.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, tha se ka qenë një pajtueshmëri e anëtarëve të Komisionit që prej shumës 20 milionë, 13 të sigurohen prej kontigjencave të Ministrisë së Financave, kurse tha se vetë nuk e ka mbështetur.

“Si anëtar i Komisionit unë nuk e kam përkrahur sepse duke e marrë parasysh periudhën deri në fund të vitit që ka mbetur, maksimumi 5 muaj. E 20 milionë euro për 5 muaj, përkthehen 4 milionë euro në muaj. Është një shpenzim enorm kur jemi në një situatë të tillë kur neve na duhen para për gjëra esenciale, në luftim të pandemisë”, tha Murati.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, tha se kjo shumë e ndarë nuk është shpenzim, por është planfikim dhe shpenzimi varet se si ndodhin ngjarjet.

“Këto mjete janë të planifikuara, është një kod specifik në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa pjesa tjetër është te kontigjenca, prandaj të mos e ngatërrojmë shpenzimin me planifikimin. Kjo nuk është e vullnetit të mirë, urojmë që asnjë cent të mos shpenzohet nga kjo kategori, por me ardhë puna me ndodhë, ky është detyrim ligjor që e ka marrë shteti i Kosovës”, tha Hamza.

Ndërsa deputeteja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari- Lila, deklaroi se është edhe një udhëzim administrativ i nënshkruar nga ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, që parashikon që të mbulohen shpenzimet e familjarëve të të akuzuarve të Speciales, gjatë udhëtimeve, por që sipas saj, kryeministri Hoti ka refuzuar ta nënshkruajë këtë udhëzim administrativ.