32 pacientë me coronavirus të shtrirë në Infektivë, kjo është gjendja e tyre shëndetësore

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka njoftuar se 32 pacientë me COVID-19 janë të shtrirë në Klinikë.

Sipas tij, 25 pacientë janë në gjendje stabile shëndetësore, 7 pacientë janë me oksigjenoterapi dhe një 1 pacient tjetër është në pritje të rezultatit laboratorik për coronavirus.

KALLXO.com ka raportuar minuta më parë se djali dhe vajza e 82-vjeçarit nga Dumnica e Podujevës janë afër shërimit.

Numri i të prekurve me coronavirus në Kosovë ka shkuar në 71.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia mbrëmë ka njoftuar se një pacient pozitiv me COVID-19 është afër shërimit.

Ndërsa, sipas infektologut Salih Ahmeti edhe disa persona të tjerë janë në prag të shërimit.

Ai tregoi se personi i cili u raportua më parë se është afër shërimit është nga Vitia, i cili sipas tij, përveç coronavirusit, ka të shoqëruar edhe sëmundje të tjera kronike.

Ahmeti mbrëmë njoftoi se në mesin e atyre që janë në rrugë të mirë të shërimit, është edhe i djalit i pacientit që ka vdekur (82 vjeçari nga Podujeva).

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë apel te qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi përgjatë këtyre dy javëve.