302 pozita të lira të punës në katër komunat me shumicë serbe në veri, ftohen qytetarët të aplikojnë në Zyrën e Punësimit

Ministria e Financave ka ftuar punëdhënësit dhe punëkërkuesit në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që të regjistrohen në Zyrat e Punësimit në komunat e tyre për të aplikuar për masën e punësimit.

Në njoftimin e Ministrisë së Financave bëhet e ditur se masa ofron mundësinë e subvencionit të 70 për qind të pagës së punëtorëve të angazhuar për një periudhë prej gjashtë muajve.

Sipas udhëheqësit të Zyrës së Punësimit në Komunën e Leposaviqit, Dragan Lesheviq, aktualisht janë 302 vende të lira të punës në këto katër komuna.

“Dua të inkurajoj bizneset që operojnë në këto katër komuna të regjistrohen në Zyrën e Punësimit në komunën e tyre në mënyrë që të përfitojnë nga kjo masë” – ka shtuar Lesheviq në videon e publikuar nga Ministria e Financave më 04.06.2024.

Lesheviq gjithashtu në video ka treguar edhe procedurat që duhet ndjekur për të qenë përfitues të kësaj mase nga Qeveria e Kosovës.

Për t’u regjistruar përfaqësuesit e bizneseve duhet të dorëzojnë një kopje të certifikatës së biznesit ose organizatës joqeveritare si dhe kopjen e letërnjoftimit të pronarit apo pronarëve.

Përveç bizneseve, edhe punëkërkuesit duhet të regjistrohen në Zyrat e Punësimit, duke dorëzuar një kopje të letërnjoftimit dhe një kopje të diplomës ose certifikatës së shkollimit më të lartë.

“Pas regjistrimit Zyra e Punësimit do të bëjë ndërmjetësimin midis punëkërkuesve dhe punëdhënësve duke i përshtatur punëkërkuesit me kërkesat dhe kriteret e pozitave të hapura nga punëdhënësi” – ka përfunduar Lesheviq.

Më 12.02.2024, Qeveria e Kosovës ka lansuar masën për mbështetjen e punësimit të 2 mijë punëkërkuesve që jetojnë në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, dhe Mitrovicë e Veriut.

“Për të përkrahur punësimin e qytetarëve në këto komuna, MFPT do të subvencionojë 70% të pagës bruto për gjashtë muaj me radhë deri në maksimumin prej 350 eurosh. Për të përfituar nga kjo masë, punëkërkuesit duhet të jenë të regjistruar si të tillë në zyrën e punësimit në komunën e tyre përkatëse, të jenë mbi moshën 18 vjeç, si dhe të jenë banorë në njërën nga katër komunat veriore. Ndërsa, punëdhënësit gjithashtu duhet të jenë me bazë në njërën nga katër komunat veriore si dhe të jenë duke funksionuar në mënyrë të rregullt ashtu siç parashihet përmes legjislacionit të Kosovës” – thuhej në njoftimin e Ministrisë së Financave më 12.02.2024.