26 persona me aftësi të kufizuara janë punësuar nga projekti i Zyrës së BE-së në Kosovë

“Në jetën time e kam pasur ëndërr që t’u tregoj të tjerëve se mund të punoj”.

Këto janë fjalët e Fetije Atashi-Hetemit, e cila është me aftësi të kufizuara.

Ajo dhe 25 persona të tjerë me aftësi të kufizuara nga Skenderaj, Vushtrria, Drenasi dhe Mitrovica janë punësuar si rezultat i projektit “Rritja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara përmes zbatimit të planit lokal të veprimit për punësimin e PAK në Skenderaj dhe Vushtrri”.

Ky projekt është financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, Komuna e Skenderajt dhe ajo e Vushtrrisë, ndërsa është zbatuar nga Qendra Kosovare për Vetë-Përkrahje (QKVP).

Në një konferencë të mbajtur sot nga QKVP, Handikos Vushtrri dhe komunat e Skenderajt e Vushtrrisë, u paraqitën të arriturat dhe rrugëtimi i këtij projekti.

Ky projekt ka ofruar grante për personat e kësaj kategorie, të cilët kanë shkruar plane biznesi, por nuk kanë pasur mundësi që t’i realizojnë ato.

19 prej tyre janë të vetëpunësuar duke jetësuar idetë e projekteve të tyre, ndërsa 7 të tjerë janë punësuar në biznese private.

Projekti kishte disa faza, duke përfshirë edukimin negocimin dhe financimin e procesit të punësimit.

Prandaj përveç granteve të cilat kanë shërbyer për blerjen e pajisjeve, që kanë mundësuar punësimin, janë mbajtur edhe trajnime për dizajnimin e projekteve, për komunikim, për marketing e të tjera.

Zëvendësshefi për Bashkëpunim i Zyrës së BE-së, Alessandro Biancardin, kujtoi se Ligji obligon institucionet publike të punësojnë së paku 1 person me aftësi të kufizuara për çdo 50 të punësuar.

Sipas raportit vjetor të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal 2021 ky kriter është respektuar vetëm 20%.

Ai tha se mungesa e të dhënave për numrin e personave me aftësi të kufizuara në vend dhe punësimi i tyre janë sfidat kryesore për implementimin e këtij Ligji.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i QKVP-së, Valon Ismajli, tregoi se njëri prej qëllimeve të projektit ka qenë edhe ndryshimi i mendësisë së kompanive private për këtë kategori, duke u treguar se personat me aftësi të kufizuara mund të punojnë dhe të jenë të dobishëm për ta.

Në një dokumentar të shfaqur lidhur me këtë projekt, pronarët e kompanive që kanë punësuar këta persona, thanë se janë shumë të kënaqur me punën e tyre dhe bënë thirrje që edhe kompani të tjera t’u japin mundësi punësimi.

Për këto biznese të hapura ekspertë nga jashtë kanë krijuar edhe faqe në mediat sociale për të promovuar punën e tyre.

Të dhënat e HANDIKOS-it tregojnë se në Vushtrri dhe Skenderaj janë mbi 1,500 qytetarë me aftësi të kufizuara, prej të cilëve më pak se 1% janë të punësuar.

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, dhe drejtori i Ekonomisë në Vushtrri, Ergin Sungur, shprehën falënderimet e tyre për Zyrën e BE-së në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre për përkrahjen e projekteve të tilla.

Ky projekt i nisur 2 vite më parë ka planifikuar që të përfshijë rreth 60 përfitues dhe që rreth 20 persona me aftësi të kufizuara të kenë punësim të qëndrueshëm.