Ilustrim

25 vjet EURO

Megjithë papërsosmëritë, euro është dëshmuar të jetë më e mirë se alternativa e mospasjes dhe e ka krijuar një zonë stabiliteti.

Euro u konceptua në Madrid në dhjetor të vitit 1995, si një mënyrë për t’i dhënë fund krizës së mekanizmit të kursit të këmbimit të Sistemit Monetar Evropian (EMS) që kishte filluar në shtator të vitit 1992 me krizën e sterlinës. Dhe pati një zhvillim të gjatë, deri katër vjet më vonë, kur, më 1 janar 1999, barazitë e monedhës u fiksuan në mënyrë të pakthyeshme dhe BQE mori kontrollin e politikës monetare.

Lindja e euros zgjati 24 muaj – një periudhë kalimtare gjatë së cilës qarkullonin vetëm monedhat kombëtare.

Që atëherë kanë ndodhur shumë zhvillime. Ndryshe nga parashikimet e tmerrshme të ekonomistëve të njohur, si Milton Friedman apo Martin Feldstein, të cilët parashikuan dështimin e euros për shkak të papërsosmërisë së strukturës së saj dhe rrezikut ekonomik dhe politik që sillte kjo, monedha e përbashkët jo vetëm që ka mbijetuar, por ka anëtarë të shtuar në mënyrë të vazhdueshme në klubin e tij: inkorporimi i fundit i Kroacisë e çon numrin e vendeve të euros në 20, pothuajse dyfishi i 11 vendeve fillestare.

Dhe katër vende të tjera – Andorra, San Marino, Vatikani dhe Monako – përdorin euron dhe mund të nxjerrin monedhat e tyre euro. Por nuk ka qenë një rrugëtim i lehtë. Janë bërë gabime, disa të shmangshme, të tjera rezultat i papërvojës apo dinamikave të çoroditura politike, të cilat e afruan euron shumë pranë greminës gjatë krizës dhe që e kanë kufizuar kapacitetin e eurozonës për rritje.

Nga një këndvështrim historik, historia e euros është historia e krizave të saj. Bumi ekonomik gjerman i gjeneruar nga bashkimi i dy Gjermanive ishte një goditje asimetrike për Evropën, duke e shtyrë Bundesbankën ta adoptonte një pozicion të fortë anti-inflacioni në vitet 1991-92, i cili, edhe pse i nevojshëm për Gjermaninë, përfundoi të jetë tepër i ngushtë për pjesën tjetër të Sistemit Monetar Evropian, dhe që çoi në largimin e sterlinës nga ky sistem dhe zhvlerësimin e disa prej monedhave të Sistemit Monetar Evropian.

Euro filloi tregtimin më 1 janar 1999, me një kurs këmbimi 1.18 kundrejt dollarit amerikan, por u zhvlerësua shpejt me pothuajse 30 për qind, në një nivel më të ulët prej 0.82 euro për dollar në tetor të vitit 2000 – për shkak të normave të larta të interesit në SHBA dhe ribalancimi i rezervave valutore të vendeve të euros, i cili bëri që Banka Qendrore Evropiane, BQE të ndërhyjë në tregjet valutore për ta stabilizuar monedhën e porsalindur.

Prej aty, një vlerësim pothuajse i pandërprerë, i nxitur nga euforia në periferi të eurozonës që inkurajoi flukset e kapitalit, por edhe akumulimin e çekuilibrave deri në 1.60 euro për dollar në vitin 2008. Shenjat e para të krizës financiare globale, me pezullimin e tërheqjeve të likuiditetit në disa fonde franceze dhe mungesën e kapitalit të disa bankave gjermane si pasojë e humbjeve në investimet e tyre në hipotekat subprime amerikane, shënuan maksimumin e euros.

Kulmi ishte mashtrimi fiskal grek: deficiti i saj fiskal, i cili ishte tashmë një masë e madhe 6% e PBB-së në vitin 2006, doli të ishte shumë më i madh, duke arritur në 15% të PBB-së në vitin 2009 dhe duke krijuar dyshime serioze për qëndrueshmërinë dhe realizueshmërinë e tij fiskale brenda euros. Në atë moment, lindi mundësia e ristrukturimit të borxhit dhe e daljes nga eurozona, e përforcuar nga vendimi fatal i Merkel dhe Sarkozy në Deauville për të përfshirë sektorin privat dhe hezitimet e BQE. Nga këtu e tutje nuk kishte kthim prapa. Analistët dhe tregjet i bashkuan listat e tyre të vendeve të renditura nga zhbalancimet fiskale dhe të jashtme, u krijuan kategoritë e vendeve debitore dhe kreditore, u shfaqën diferencat e rrezikut sovran dhe euro nuk ishte kurrë e njëjtë. Vendet e forta përfituan nga rritja e kërkesës së jashtme dhe normat e ulëta të interesit, vendet e dobëta luftuan për të mbetur solide. Konvergjenca ekonomike që duhet të gjenerojë monedha e përbashkët zhduket, duke i lënë vendin divergjencës, fragmentimit dhe reduktimit të rreziqeve të përbashkëta.

Por, kundër gjasave, euro vazhdoi të vlerësohej pozitivisht: në fund, duke i shmangur disa përpjekje të forta për ta detyruar daljen e tyre, vendet që vuajtën më shumë gjatë krizës vendosën të mbeten në euro.

Historia e euros filloi me dyshimet midis Francës dhe Gjermanisë dhe shqetësimet për jodiciplinën fiskale italiane, dhe kriza e euros i përforcoi këto shqetësime në pjesën tjetër të periferisë. Është historia e një mosbesimi, të justifikuar ose jo, të përforcuar nga një arkitekturë e paplotë ekonomike që gjeneron nevojën për të shpenzuar më shumë kohë duke i debatuar sistemet e rregullave jashtëzakonisht të ndërlikuara për t’i përforcuar kontrollet e brendshme në vend të projektimit të instrumenteve për ta rritur rritjen e mundshme dhe për t’i adresuar sfidat e jashtme.

Pandemia dhe mbyllja e ekonomisë globale, i detyruan vendet e kursyera të kuptojnë se këtë herë nuk mund të mbështeteshin në kërkesën e jashtme për ta vazhduar rritjen dhe për t’i rifokusuar objektivat e tyre drejt elasticitetit të brendshëm të euros. Papritur, diçka e deklaruar politikisht e pamundur për një dekadë – eurobonot – u shfaq në vetëm dy muaj për të financuar NGEU dhe për ta mbështetur kërkesën e brendshme evropiane. Kriza energjetike e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës tendosi edhe një herë telat e solidaritetit evropian derisa ata që ishin më të prekur nga mungesa e energjisë ruse më në fund pranuan me ngurrim se virtyti është ciklik dhe nuk qëndron gjithmonë në të njëjtin vend.

Euro është përmirësuar me çdo krizë, dhe BQE-ja është përmirësuar vazhdimisht dhe ka fituar besueshmëri, por ajo mbetet një zonë e papërsosur e monedhës. Roli i saj si monedhë rezervë ndërkombëtare mbetet i paqartë. Pasojat e pandemisë dhe krizës energjetike e kanë vënë në rrezik tregun e brendshëm, për shkak të dëshirës së disa vendeve të kursyera për t’u përballur me sfidat gjeostrategjike duke i dhënë përparësi subvencioneve për industrinë kombëtare për të fituar avantazhe konkurruese, në vend që t’i promovojnë të mirat publike evropiane.

Eppur si muove, siç do të thoshte Galileo Galilei. Pavarësisht papërsosmërive të saj, euro është dëshmuar të jetë më e mirë se alternativa e mospasjes së saj dhe ka krijuar një zonë stabiliteti ku lulëzojnë vendet që përfitojnë prej saj për ta përmirësuar strukturën e ekonomive të tyre. Le t’i festojmë këto 25 vjet dhe të vazhdojmë ta përmirësojmë euron edhe më tej./El Pais

Përgatiti: Nuhi Shala