BQK

BQK-ja përmes SMS-it fton qytetarët të pranojnë para në euro

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), përmes SMS-ve u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të pranojnë para përmes llogarisë bankare në euro.

“Kurseni dhe këmbeni në cilëndo valutë. Hapni llogari me shërbime bazike, pa tarifë të hapjes dhe të mirëmbajtjes”, thuhet në mesazhin telefonik të BQK-së.

Thirrja vjen pas hyrjes në fuqi të rregullores së BQK-së nga 01.02.2024 e cila përcakton që Euro-ja të jetë valuta e vetme në Kosovë për pagesa në para të gatshme, vendim ky që ndalon përdorimin e dinarit serb, nga ana e serbëve lokalë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

BQK0-ja ka hapur edhe linjën pa pagesë ku qytetarët mund të marrin informata plotësuese në numrin e telefonit 0800 22255.

Linja e BQK-së është dedikuar për qytetarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë.

“Vetëm në katër komunat veriore, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikrofinanciare (kredidhënëse), si dhe mbi 15 institucione financiare jobankare për pagesa dhe këmbimore. Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së”, thuhet në njoftimin e BQK-së të datës 09.02.2024.

Hyrja në fuqi e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës në fillim të muajit shkurt, e ka përballur Qeverinë e Kosovës me presion ndërkombëtar, kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

Rregullorja për operacionet me para të gatshme, ndër të tjera përcakton atë që Euro të jetë valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë. Kjo çështje ka prekur serbët lokalë, të cilët përdorin dinarin për pagesa. Madje ata marrin edhe pensionet nga Serbia në dinarë. Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka reaguar ndaj vendimit të BQK-së, duke thënë se ky vendim është marrë për dëbimin e serbëve nga Kosova.

Reagimet pati edhe nga ndërkombëtarët, përfshirë Bashkimin Europian, SHBA-në, ambasadorët e QUNIT-it, që kërkonin nga Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores.

Më 08.02.2024 më kërkesë të presidentit serb, çështja e dinarit shkoi në Këshillin e Sigurimit të Kombëve të Bashkuara. Në një seancë të jashtëzakonshme u përballën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha se kjo Rregullore mund të krijojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë.

“Institucionet e përkohshme të qeverisjes në Prishtinë kanë krijuar në këtë territor kushte të padurueshme për serbët. Situata e tillë në mungesë të reagimit të mirëfilltë mund të krijojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë” – u shpreh ai.

Ndërsa, Kurti tha se një ide e tillë është thjeshtë gënjeshtër.

“Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitetit serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata publike ndërkombëtare. Serbët që largohen nga Kosova dhe ata që largohen nga Serbia e bëjnë këtë për të kërkuar mundësi në Europë, jo për t’i ikur ndonjë spastrimi etnik” – tha në fjalimin e tij, kryeministri Kurti.

Guvernatori Ahmet Ismaili në emisionin “Kallxo Përnime” tha se nuk ka kërkesë zyrtare drejtuar BQK-së për pezullim të kësaj Rregulloreje, veçse ka pasur një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e zbatimit të Rregullores.

“Nuk ka kërkesë për pezullim, të paktën drejtuar BQK-së nuk ka, e as nuk ka diskutim për pezullim”- tha ai më 04.02.2024.

Ismaili tha se Rregullorja nuk ka të bëjë asgjë me një popullatë të caktuar ndërsa shtoi se koha do të dëshmojë që do të jenë ata që do përfitojnë nga ky vendim.

Përmes një plani  10 pikësh, BQK-ja ka vendosur t’i ndërmarrë disa veprime shtesë me synim të lehtësimit të zbatimit të Rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara në Kosovë.

Ky plan, sipas BQK-së, pritet të realizohet në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet e tjera financiare.

“Jehona” e vendimit për dinarin, nga hyrja në fuqi deri te takimi në Bruksel