Kosova kërkon ndihmë nga bankat komerciale për ta zbatuar politikën e saj të përdorimit ekskluziv të euros

Ndërkohë që Kosova po përgatitet ta implementojë një politikë vetëm për euron, Banka e saj Qendrore po nxjerr një plan që bankat komerciale të cilat operojnë në Kosovë t’i konvertojnë pagesat serbe në euro, duke e anashkaluar një marrëveshje ndërshtetërore.

Kosova po përpiqet ta anashkalojë një marrëveshje të pamundur ndërshtetërore me Serbinë për zbatimin e një rregulloreje të fundit mbi operacionet me para të gatshme nga Banka Qendrore e Kosovës, BQK.

Rregullorja, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për shtyrje, ka si qëllim luftimin e parave të falsifikuara. Njëkohësisht, kjo rregullore zbaton politikën e euros si monedhë e vetme, duke i ndaluar kësisoji transaksionet në monedhën e Serbisë, dinarin, i cili ende përdoret çdo ditë nga serbët e Kosovës, veçanërisht në veriun e banuar me shumicë serbe.

Pasi Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, bankat komerciale serbe dhe institucionet e tjera financiare trajtojnë transaksionet e brendshme në Kosovë.

Deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi, Serbia e ka kundërshtuar fuqishëm fillimin e transaksioneve në euro në Kosovë dhe ekspertët i thanë BIRN-it se, për ta bërë këtë, do t’i duhej t’i ndryshonte rregulloret e saj.

Nëse Serbia vendos t’i vazhdojë transaksionet në dinarë, këto pagesa do të duhet të konvertohen në euro në Kosovë dhe tarifat e konvertimit ndoshta do të paguhen nga qytetarët atje, thonë ekspertët për BIRN.

Ahmet Ismaili, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, BQK, i ka thënë BIRN më 08.02.2024 se Kosova tani po i shqyrton mënyrat që Serbia të vazhdojë t’i paguajë serbët në Kosovë përmes bankave komerciale – pa pasur nevojë që Serbia të bëjë ndryshime zyrtare në politikën e saj valutore.

“Më 6 shkurt i dërgova një letër Bankës Qendrore të Serbisë duke shprehur gatishmërinë tonë për ta mbështetur çdo zgjidhje teknike”, për çështjen e pagesave nga Serbia për serbët e Kosovës”, ka thënë Ismaili për BIRN, pas një takimi të mbyllur me përfaqësues të shoqërisë civilëve të serbëve të Kosovës në Mitrovicë.

“Marrë parasysh faktin se këto janë pagesa masive, ne duam që ato të bëhen në mënyrë efektive”, ka thënë ai.

Tek qytetarët mbizotëron konfuzioni dhe ndjenja e mungesës së zërit të tyre

Banka Qendrore e Kosovës thotë se është e gatshme të pranojë çdo zgjidhje teknike të pranuar nga Serbia për t’a lehtësuar barrën e qytetarëve të prekur nga rregulli i ri.

Megjithatë, ekspertët dhe serbët e Kosovës thonë se mungesa e informacionit dhe vlerësimi i duhur i zbatimit të rregullit të ri të monedhës në terren i ka lënë njerëzit të konfuzion dhe në rrezik të pasojave financiare.

Petar Gjorgjeviq, banor i komunës me shumicë serbe të Graçanicës, thotë se politika e re mbi përdorimin e euros si monedhë e vetme e transaksionit do ta bëjë jetën më të vështirë për komunitetin e tij.

“Serbët vendas e perceptojnë këtë vendim si të dëmshëm. Ata ndihen të margjinalizuar dhe të pa zë në proces,” thotë Gjorgjeviq për BIRN, duke shtuar se “qytetarët nuk ishin të informuar siç duhet përpara se të merrej vendimi, duke përkeqësuar ndjenjën e zhgënjimit dhe pasigurisë”.

Rregullorja e re rithekson: “E vetmja valutë që lejohet të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para në dorë dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro”.

“Valutat e tjera jo euro mund të përdoren… vetëm si sende me vlerë për ruajtje në formë fizike, ose në llogaritë bankare në monedha jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në monedha jo euro dhe për aktivitete të këmbimit valutor”, thotë rregullorja e lartcekur.

Siç shpjeguan ekspertët për BIRN, për shkak se Serbia i konsideron transaksionet me Kosovën si vendore, dhe kështu bëhen në dinarë, ato përfundimisht konvertohen në euro me tarifat e aplikueshme.

Gjorgje Gjukiq, profesor i fakultetit të ekonomisë në Beograd, i ka thënë për BIRN se nëse Serbia nuk pranon të bëjë pagesa në euro, por vazhdon të përdorë dinarë, qytetarët serbë të Kosovës rrezikojnë “ta kalojnë kufirin… për t’i tërhequr dinarët dhe për të blerë euro. Kështu që ata më pas mund të paguajnë në Kosovë.

“Konotacioni politik, i cili është gjithmonë i përfshirë këtu, do të thotë se shtypja e plotë e dinarit, i cili nuk është më një kurs ligjor në Kosovë dhe Metohi (si i referohet Serbia Kosovës) … do të thotë se Republika e Serbisë e humb sovranitetin e saj monetar mbi atë pjesë të territorit”, vë në dukje Gjukiq, duke iu referuar Kosovës veriore me shumicë serbe.

Milojko Arsiq, gjithashtu profesor në Fakultetin Ekonomik të Beogradit, i ka thënë BIRN se Serbia dhe Kosova do të duhet të arrijnë një lloj marrëveshjeje të paktën për një zgjidhje të përkohshme të çështjes së pagesave për serbët e Kosovës.

“Serbia mund të vendosë ta paguajë vlerën e dinarit, dhe kostot e konvertimit do të jenë në ngarkim të qytetarëve. Po ta merrte shteti përsipër do të duhej t’i rriste pak pensionet në dinarë”, ka thënë ai. “Ekziston edhe pyetja se kush do t’i blejë ata dinarë në Kosovë”, ka pyetur Arsiq.

 Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ismaili i ka thënë BIRN se, në një letër drejtuar Bankës Qendrore të Serbisë nga 2 shkurti, ai kishte propozuar lënien e zgjidhjeve teknike të konvertimit të dinarëve në euro në bankat komerciale, pasi Serbia heziton t’i lejojë pagesat ndërkombëtare për Kosovën.

“Edhe nëse Banka Qendrore Serbe nuk pranon (zyrtarisht) të na përgjigjet, ajo së paku mund ta zbatojë propozimin sepse mund të bëhet edhe pa përfshirjen e bankave qendrore,” ka thënë ai.

Ai ka shpjeguar se Banka Qendrore e Kosovës i ka lejuar tri banka komerciale të cilat operojnë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi që ta rregullojnë këtë çështje me marrëveshje të brendshme bankare.

Sipas propozimit të tij, Banka Qendrore e Serbisë do t’i lëshonte pagesat e saj me dinarë për këto tri banka, Raiffeisen, NLB dhe ProCredit. Më pas ata do t’i transferonin paratë në degët e tyre në Kosovë në euro, me marrëveshje të brendshme bankare.

Ismaili ka shpjeguar se tri banka të Raiffeisen dhe një bankë NLB aktualisht operojnë me degët e tyre në veriun me shumicë serbe të Kosovës, duke shtuar se Banka Qendrore e Kosovës u ka kërkuar atyre “ta rrisin praninë e tyre” në zonat me shumicë serbe të Kosovës.

Sipas Ismailit, tri institucione mikrofinanciare në veri të Kosovës janë gjithashtu të licencuara për të dhënë kredi dhe 15 institucione financiare jobankare mund të shkëmbejnë zyrtarisht valuta.

Banka Kombëtare e Serbisë dhe Fondi Republikan për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nuk iu iu janë përgjigjur pyetjes së BIRN në lidhje me propozimet deri në momentin e publikimit.

Kosova nën presion për të ofruar më shumë kohë

Autoritetet kosovare dhe ato serbe kanë dhënë interpretime kontradiktore të kuptimit dhe efekteve të rregullores së re të Operacioneve me Para të gatshme në Kosovë. Komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje të dyja vendeve që këtë çështje ta diskutojnë në tryezën e bisedimeve si pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë pesë anëtarët e përhershëm, i kërkuan Kosovës të enjten që ta shtyjë rregulloren e lartcekur, duke i bërë jehonë shqetësimeve të ngritura për jetën e përditshme të komunitetit lokal në veri.

“Vendimi u mor pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën vendase,” ka thënë ambasadorja e SHBA Linda Thomas-Greenfield.

Në të njëjtën kohë, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca i kërkuan Serbisë që ta hetojë sulmin e shtatorit të vitit 2023 nga persona të armatosur serbë në fshatin Banjska të Kosovës dhe t’i mbajë përgjegjës autorët e këtij sulmi.

Mirëpo, kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, këmbënguli të enjten se qeveria serbe e ka përdorur monedhën e saj si një armë politike në veri të Kosovës.

“Dinari ka qenë një instrument që dikush e ka sjellë fizikisht nga Beogradi me furgona, dhe disa zyrtarë të (presidentit serb) Aleksandar Vuçiq përmes (partisë serbe të Kosovës të mbështetur nga Beogradi) Lista Srpska, shkuan dhe i shpërndanë paratë nëpër shtëpi… duke kërkuar besnikëri, ka thënë ai. “Shpërndarja e dinarëve [në Kosovë] nuk është vetëm një betejë e mirëqenies,” ka shtuar Konjufca.

Konjufca këmbëngul gjithashtu se rregullorja e re e monedhës do ta “ndihmonte integrimin (të serbëve të Kosovës në Kosovë) sepse e godet pikërisht atë manipulim fizik.”

Për momentin, Kosova është pajtuar vetëm për një periudhë të pacaktuar tranzicioni për heqjen graduale të dinarëve.

Të mërkurën, ministri i Kosovës për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se gjatë një takimi me kryeministrin Albin Kurti dhe guvernatorin e Bankës Ismaili, ata “kishin konkluduar në një periudhë të pacaktuar tranzicioni, “kështu që përdoruesit (dinarët) do ta kenë mundësinë të përgatiten për përdorimin e rregullores. Nga ana ligjore dhe teknike kjo është rruga e duhur për të vazhduar tutje”.

Rashiq ka vënë në dukje se Ismaili ka thënë se faza e tranzicionit mund të përfundojë në fund të shkurtit, por shtoi se çdo afat kohor i saktë për këtë “që do ta përmendnim tani  do të ishte i pasaktë”.

Ndërkohë, më 2 shkurt, presidenti Vuçiq ka deklaruar se Serbia do të vazhdojë t’i bëjë pagesat për serbët e Kosovës në dinarë, pavarësisht masës për t’i implementuar pagesat vetëm në euro në Kosovë. Vuçiq ka thënë gjithashtu se Serbia i kishte paguar paraprakisht pagat, pensionet dhe ndihmën sociale për serbët e Kosovës.

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Balkan Insight më 09.02.2024.

Përgatiti: Nuhi Shala