18 lokale gjobiten e 3 mbyllen për mos respektim të masave në Prizren e Suharekë

Policia e Kosovës në bashkëpunim me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë zhvilluar mbrëmë një aksionin në dy qytete, Prizren e Suharekë.

Gjatë aksionit, siç kanë njoftuar forcat e rendit, janë gjobitur 18 biznese, 3 janë mbyllur për mos respektim të masave ant-COVID-19.

“Në zbatim të Vendimit të Qeverisë Nr.01/07 për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, një ekip e përbashkët e policisë dhe Inspektorëve të AVUK-ut, me datë 23 prill 2021, ka realizuar një kontrollë në komunën e Prizrenit dhe Suharekës nga ora 18:30-01:25 min”, thuhet në njoftim.

“Në këtë kuadër në Prizren dhe Suharekë u kontrolluan 68 lokale, për të cilat Inspektorët dhe Policia gjeten parregullsi  në disa prej tyre, tri nga lokalet u mbyllën me urdhër të Inspektorit, dhe u shqiptuan 18 fletparaqitje, nga këto 13 në Prizren dhe 5 në Suharekë”, njoftoi Policia e Kosovës.

Gjoba u dhanë edhe për mos mbajtje të maskës ndërsa, policia njoftoi se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim.

“Ndërsa policia në këtë aktivitet ka gjetur parregullsi në disa raste ka shqiptuar 32 tiketa për mosmbajtje të maskës dhe 9 tiketa për mosrespektim të orarit të lëvizjes që parasheh kohen nga ora 22:30-05:00. Aktivitete të përbashkëta parashihen të realizohen edhe me tutje, në parandalim dhe respektim të masave nga Udhëzimi i Qeverisë dhe ligji për masat anticovid-19”, thuhet në fund të njoftimit.