17 vite burgim të akuzuarit për vrasjen e vëllait

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 17 vite burg Millorad Shubariqin, i akuzuar për vrasjen e vëllait të tij.

Millorad Shubariq akuzohet nga Prokuroria për vrasjen e vëllait të tij D. Sh. më datën 07.05.2022 në fshatin Gushtericë e ultë, Komuna e Lipjanit.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur më datën 13.04.2024.

I akuzuari u dënua për veprën penale “Vrasje e rënd në aftësi të zvogëluar mendore”.

Fotografi e të akuzuarit gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj tij – FOTO- Alban Bytyqi – KALLXO.com – 13.06.2024

Sipas aktakuzës, Millorad Shubariq në mesditën e 07.05.2022 me revole kishte qëlluar tetë herë vëllanë e tij pas një mosmarrëveshje rreth një prone të përbashkët

Ditën kritike, sipas prokurorisë, i ndjeri ka qenë duke kositur barin e oborrit të shtëpisë, kurse i akuzuari ka qenë duke konsumuar pije alkoolike, kur edhe kishte filluar konfrontimi verbal i cili nuk kishte përfunduar me aq.

Pas fjalosjes i akuzuari ka hyrë në shtëpinë e tij ka marrë revolen, ka shkuar në shtëpinë e vëllait të tij e cila gjendej në të njëjtin oborr dhe ka shtënë 8 herë në të, duke e lënë të vdekur në vend.

Me këtë i pandehuri sipas prokurorisë ka kryer veprën penal “Vrasje e Rëndë”.

Aktgjykimi u shpall nga kryetarja e trupit Alltën Murseli dhe anëtarët Gazmend Bahtiraj e Gëzim Ademi.