Foto: Shpend Ahmeti/Facebook

150 pritore të reja do të vendosen në Prishtinë, pritet shtrirje edhe në periferi

Komuna e Prishtinës ka në plan të vendos 150 pritore të reja për autobusë si pjesë e planit të mobilitetit.

Ky projekt ka filluar të implementohet nga viti 2020 dhe ende nuk ka përfunduar.

Janë shumë lagje në Prishtinë që nuk kanë pritore, kjo edhe si shkak i krijimit të lagjeve të reja dhe ndërtimeve të shumta.

Nga Drejtoria për Shërbime Publike në komunë është thënë se janë në plan të vendosen 150 pritore ku është filluar me qendër dhe do vazhdohet edhe me lagje tjera deri në ato periferike.

“Pritoret janë një projekt që dizajnimi i tyre është bërë nga një grup i njerëzve brenda komunës, kemi pranuar ankesa për pjesën e mbulojës në një anë dhe tani jemi duke parë se çfarë duhet të bëjmë. Në plan është që të vendosen 150 pritore, kemi filluar me qendër dhe lagje tjera, por janë  të parapara edhe pjesët më periferike,” thuhet nga Drejtoria e shërbimeve publike.

Plani i mobilitetit i ka 102 masa të cilat janë në vlerë 200 milionë euro me plan 12 vjeçar.

Në planin e mobilitetit janë të përfshira edhe shtigjet e çiklizmit, rekonstruktimi i rrugëve dhe hapja e rrugëve të reja, parkingjet,  reformimi i transportit urban etj.