14-vjeçari i sulmuar në veri pas trajtimit mjekësor është liruar nga spitali

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media njoftoi se sot rreth orës 14:00 në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë të Veriut është sulmuar një 14-vjeçar nga grupet kriminale.

KALLXO.com ka kontaktuar me ushtruesen e detyrës të drejtoreshës së Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi, e cila ka treguar se i mituri konsiderohet jashtë ndonjë rreziku.

“Po, një 14-vjeçar ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi që është sulmuar në veri. Pas ofrimit të trajtimit është liruar për në shtëpi dhe gjendja e tij konsiderohet jashtë ndonjë rreziku” – ka thënë Zhubi për KALLXO.com.

Ministri Sveçla gjatë konferencës ka dhënë detaje lidhur me rastin.

“Sapo më njoftuan se rreth orës 14:00 një 14-vjeçar, banor i “Kroit të Vitakut”, është sulmuar nga grupet kriminale duke shkuar në lagjen ku po banon” – tha ai.

Fëmija u njoftua se ka pësuar lëndime trupore dhe sipas Sveçlës është dërguar për tretman mjekësor.

Ai tha se Policia e Kosovës është duke u angazhuar për zbardhjen e këtij rasti.

Ndërsa, për kriminelët ministri kishte një porosi. “Kam porosi edhe për të gjithë ata kriminelë se ne do të shfrytëzojmë të gjitha kapacitet e nevojshme të Policisë së Kosovës që ata të identifikohen dhe sa më parë të sillen para drejtësisë” – u shpreh ai.