Vendimi i Komitetit të Nobelit për Letërsi shkakton ‘termet’ në Kosovë

Me reagimet të ashpra është pritur në Kosovë ndarja e çmimit Nobel për shkrimtarin austriak Peter Handke nga Akademia e Shkencave e Suedisë.

Studiues të letërsisë, shkrimtarë, botues e diplomatë të njohur kosovarë kanë komentuar ndarjen e çmimit për përkrahësin e politikës së Sllobodan Millosheviqit.

Shkrimtari Adem Gashi e ka quajtur të shëmtuar dhënien e çmimit Nobel për shkrimtarin austriak.

Gashi ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se Handke si shkrimtar është i mrekullueshëm, por sipas tij, nuk mund ta amnistojë nga pjesa e errët e jetës së tij, siç ka thënë ai, idetë e tij përtej nacizimit dhe fashizmit.

“Nuk mund të mos them se jam i befasuar. Në kuptimin e letërsisë Handke ka një krijimtari të mirëfilltë. Por, pjesa më e errët e jetës së tij tashmë dihet, e di se prioritet në dhënien e çmimit Nobel është letërsia, por kjo nuk e shmang atë nga idetë më të errëta tej fashizmit dhe nacizimit. Mendoj se është vendim i shëmtuar,  qoftë edhe nga një juri që vjen nga akademia suedeze”, ka thënë Gashi.

Ndërsa Dukagjin Pupovci, ekspert në fushën e arsimit, në një postim në Facebook, e ka quajtur si të turpshme vendimin e Akademisë Suedeze të Shkencave që shkrimtarit austriak Handke  t’i ndajë çmimin Nobel për Letërsinë për 2019.

“Pas skandaleve korruptive dhe të tjera që e tronditën vitin e kaluar, Akademia Suedeze paska marrë vendim që Nobelin për Letërsi t’ia ndajë Peter Handkes, një fashisti që i dha mbështetje të hapur politikës millosheviqiane në Ballkan. Turp!”, ka shkruar Pupovci në Facebook.

Peter Handke ne funeralin e Millosheviqit ne 2006, Foto: AP/DW

Ndaj vendimit të jurisë së çmimit Nobel ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

Duke e konsideruar si skandaloze vendimin për dhënien e çmimit Nobel krijuesit austriak, ambasadorja Çitaku ka shkruar në Facebok se komiteti i Nobelit zgjedh të rihap një propagandues të urrejtjes dhe dhunës etnike.

“Ndonjëherë do të doja të isha një murg ortodoks serb që lufton për Kosovën “- Peter Handke, laureat i çmimit Nobel.  Komiteti Nobel zgjedh të rihap një propagandues të urrejtjes dhe dhunës etnike. Diçka ka shkuar jashtëzakonisht e gabuar!”, ka shkruar ndër të tjera Vlora Çitaku.

Ndaj vendimit që Nobel t’ i ndahet Handkes ka reaguar edhe botuesi Abdullah Zeneli.

Sipas tij, është për t’u habitur nga këta të Nobelit, duke shtuar se afera seksuale s’është gjë krahasuar me laurimin më 1961 të Ivo Andriqit, hartuesit të elaboratit për zhdukjen e shqiptarëve.

Ai ka kujtuar edhe vizitën e Handkes më 1996 në Kosovë, e që sipas Zenelit,  Handke ka hyrë edhe në Pallatin e Shtypit, në kohën kur punëtorët shqiptarë ishin larguar me dhunë nga puna.

“Ai pati ardhur jo vetëm për mbështetje agresorit, që kulmoi më 1998-1999 me luftën dhe katastrofën humanitare, por edhe për librin e botuar… ‘Udhëtimi dimëror ose drejtësi për Serbinë’”, ka thënë Zeneli për KALLXO.com.

Ndaj vendimit për t’i ndarë çmimin Nobel Peter Handkes ka reaguar edhe ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli.

“I tronditur nga veprimi i Komitetit të Nobel-it për t’ia dhënë këtë vit çmimin Nobel për letërsi Peter Handkes. Është një veprim i turpshëm që shkon kundër vlerave të çmimit Nobel. Handke mbështeti kasapin e Ballkanit Millosheviq dhe kundërshtoi ndërhyrjen humanitare nga NATO për t’i dhënë fund genocidit në Kosovë. Turp!”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në Facebook.