Çitaku: Korrupsioni dhe skandalet kanë mbuluar Qeverinë Kurti, Prokuroria t'i hetojë ato

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK) Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojnë secilin rast të raportuar nga mediat lidhur me rezervat shtetërore.

Sipas Çitakut, Qeveria Kurti nuk i ka shpallur luftë korrupsionit, por “gazetarëve të cilët po i zbulojnë rastet korruptive dhe rendit e ligjit, që po i hetojnë ato”.

“Siç e keni parë gjatë kësaj kohe, çdo ditë po pasurohet albumi i korrupsionit të kësaj Qeverie. Raportimet e mediave, po tregojnë që eksponentë të partisë-shtet, nuk kanë lënë asnjë sektor pa shtrirë rrjetin e korrupsionit, përfshirë edhe në gjërat më esenciale: Rrymë, grurë e vaj. Dje, pamë edhe raportimet për abuzim të fondeve që janë të paraparave për komunitete dhe rastësisht na doli që personat që kanë përfituar, të jenë familjarë të ministrave të kësaj Qeveri. Shumë prej tyre nuk e kishin as idenë më të vogël se për çka kanë përfituar ato fonde” – theksoi Çitaku në një konferencë për media.

Ajo pretendon se audio-incizimet e publikuara në media kanë shpërfaqur “presionin e madh që po u bëhet administratës publike dhe shërbyesve civilë nga zyrtarët shtetërorë, për ta shkelur ligjin”.

“Përballë krejt kësaj situate, më skandaloze se aferat, kanë qenë reagimet e Kryeministrit Kurti dhe eksponentëve të Qeverisë. Në rastin më të mirë ka pasur indiferencë dhe shpërfillje derisa në rastin më të keq, ka pasur një mbrojtje të pashpjegueshme të akterëve të përfshirë në korrupsion dhe një sulm histerik kundër prokurorisë dhe mediave. Ftojmë institucionet e rendit, policinë dhe prokurorinë, që urgjentisht të hetojnë të gjitha aferat e kësaj Qeverie dhe të mos lejojnë prishjen dhe humbjen e provave: Sikur që kanë humbur vajin dhe grurin!”- shtoi ajo.

“Derisa aferat po shtohen, keqpërdorimet e detyrës zyrtare po prekin të gjitha institucionet e kësaj Qeverie, fatkeqësisht, janë qytetarët të cilët po i vuajnë pasojat. Rritja e çmimeve, papunësia dhe varfëria, janë tri problemet me të mëdha me të cilat po ballafaqohen qytetarët tanë sot! Në vend të zgjidhjeve, kjo Qeveri ka ofruar vetëm cikle të pafundme të krizave dhe skandaleve. Edhe një herë, po e ripërsëris thirrjen për institucionet e hetuesisë dhe drejtësisë që të veprojnë”- tha mes tjerash Çitaku.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka regaur në lidhje me artikujt e fundit në disa media se ka pasur manipulime me rezerva shtetërore.

Përmes një reagimi të gjatë, MINT pretendon se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore gjatë procesit të furnizimit me rezervat shtetërore.

MINT thotë se në fund të dhjetorit të 2021-ës kishte hapur thirrje publike për furnizim me rezerva shtetërore.

Javën e kaluar në gazetën online “Nacionale” janë publikuar audio-incizime në të cilën dëgjohen sipas publikimit dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia, nuk iu bashkua rezervave shtetërore.