Çitaku: Ky vit, më i dështuari për Kosovën në politikën e jashtme

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku para gazetarëve deklaroi se ky vit sipas saj është më i dështuari për Kosovën në politikën e jashtme.

Ajo thotë se  Kosova po përmbyllë “vitin më të rëndë dhe më të dështuar në politikën e jashtme, që nga shpallja e pavarësisë, pa njohje, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe pa avancim të agjendës eurointegruese dhe nën sanksione nga ana e Bashkimit Europian”.

Çitaku, në një konferencë për media tha se politika e jashtme e Kosovës është karakterizuar nga kakofonia, mungesa e vizionit dhe shumësia e skandaleve.

“Suksesi i vetëm i kësaj Qeverie është angazhimi i këshilltarëve me paga mijëra euro në muaj, pa asnjë rezultat për Kosovën. Qasja e papërgjegjshme e Qeverisë së Kosovës, kacafytja e hapur dhe publike me aleatët tanë kryesorë, solli reduktimin e ambicieve për Kosovën nga ndërmjetësit e dialogut. Dhe si rrjedhojë përfunduam me një marrëveshje, e cila  nuk është as gjithëpërfshirëse, as finale, e as me njohje reciproke në qendër. Përfunduam me një draft-statut të pranuar nga kryeministri Kurti, i cili në esencë është një Kushtetutë për serbët e Kosovës dhe krijon një sistem paralel brenda Republikës sonë”- tha Çitaku.

Çitaku u shpreh se aplikacioni i Kosovës për statusin kandidat në Bashkim Europian, mbeti i pa trajtuar.

“Në një vit kur u konkretizua procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, qoftë me miratimin e statusit kandidat, qoftë me hapjen e negociatave për Bosnje Hecegovinën, Ukrainën, Gjeorgjinë, Moldavinë, aplikacioni i Kosovës mbeti i patrajtuar dhe Kosova vazhdon të mos ketë qasje në qindra miliona euro të fondeve zhvillimore të dedikuara për Ballkanin Perëndimor”- shtoi ajo.

Nënkryetarja e PDK-së theksoi se partia e saj ka ofruar mbështetje në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, me ç’ras, siç u shpreh ajo, kryetari Memli Krasniqi dhe zyrtarët e tjerë, në takimet dhe vizitat e shumta jashtë vendit, kanë insistuar që qytetarët e Kosovës “të mos e bartin koston e sjelljes së papërgjegjshme dhe avantureske të qeveritarëve”.

“Do të doja që në këtë konferencë të flisnim për tema tjera, sepse sukseseve të Kosovës në politikën e jashtme, duhet t’iu gëzohemi të gjithë. Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet për të gjetur qoftë edhe një sukses të Kosovës në politikën e jashtme, ishte e pamundur. Realisht, politika e jashtme e Republikës sonë këtë vit ishte inekzistente. Në vitin tjetër me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kjo mendësi rrënuese dhe përçarëse e kësaj Qeverie, do të marrë fund”- përfundoi Çitaku.

Kosova është gati ta përmbyll vitin 2023 pa as edhe një njohje të re të shtetësisë së saj. Hera e fundit kur Kosova kishte pranuar njohje, ishte para tri vitesh, derisa një hendek i tillë kohor pa asnjë njohje po shihet si dështim i diplomacisë kosovare, sa që vihet në pikëpyetje nëse në Kosovë ekziston politika e jashtme.

E vetmja e re që ndërlidhet me lobimin për njohje të reja në këtë vit është bërë publike nga mediat e është pritur më ngurrim nga Ministria përkatëse, është që Gani Jakupi është caktuar këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike, për të lobuar në vendet jonjohëse.

Politika e jashtme në gjumë, asnjë njohje e re për Kosovën