Valdet Rama: Përmes kukullave dëshmohet puna 33 vjeçare e Teatrit ‘Dodona’ 

Teatri i Qytetit të Prishtinës, “Dodona’ ka ekspozuar brenda hapësirave të tij, fondin e kukullave, që ishin krijuar për nevojat të shfaqjeve të këtij teatri përgjatë 33 vjetëve punës së tij. 

Zyrtarë të këtij teatri kanë pohuar për Kallxo.com se kukullat janë renditur sipas shfaqjeve të cilave u takojnë, në formë ekspozite e me qëllim primar ruajtjen e tyre, njëkohësisht edhe qasje më të lehtë gjatë realizimit të shfaqjeve të repertorit të rregullt. 

Valdet Rama, zyrtar i lartë artistik në këtë teatri, kreatori i kukullave dhe aktorë qysh në fillimet e para të punës së “Dodonës”, ka thënë për Kallxo.com se një nga hapësirat e teatrit është kthyer në një lloj muzeu i kukullave, duke i rënditur kukullat sipas shfaqjeve të realizuara gjatë më shumë se tri dekada.  

Në këtë mënyrë, ka thënë ai, janë krijuar kushte ideale për ruajtjen e tyre. 

“Aty janë ekspozuar kukullat prej më të parave e gjerë më të fundit të realizuara nga  kreatorë të ndryshëm të kukullave. Kështu, aty ka kukulla të cilat janë të vjetra  më se tridhjetë vite e të cilat do të duhej mbase të  vendoseshin në muze. Por kukullat e ‘Dodonës’, edhe pas  tri dekadash vazhdojnë të jenë aktor të shfaqjeve të repertorit, duke i kënaqur artdashësit e vegjël, por jo vetëm, sepse fëmijët që dikur vinin në teatër, sot i sjellin fëmijët e tyre për t’i parë shfaqjet e mrekullueshme të Teatrit të Qytetit të Prishtinës ‘Dodona’”, ka thënë zyrtari Rama. 

Në këtë mënyrë “Dodona” vazhdon të krijojë publik për teatrin për të rritur.

Më tej Rama ka thënë se puna me këto kukulla do të vazhdon, pasi, siç ka thënë ai,  planifikohet që të pastrohen dhe riparohen ato të cilat mund të jenë edhe më tej në repertorë.  

“Natyrisht kjo nuk është aspak e lehtë pasi duhet të trajtohen në mënyrë të veçant, dhe mjete praktike për këtë qëllim”, ka thënë Rama. 

Teatri i Qytetit të Prishtinës, “Dodona” është i vetmi teatër në vend me repertor të rregullt javorë që jep shfaqje me kukulla për fëmijë. 

Teatri “Dodona” është themeluar më 12 nëntor 1986, me vendim të Bashkësisë Punuese të Kuvendit të Komunës së Prishtinës. Në themelimin e teatrit kontribuuan Rabije Bajrami dhe Smajl Imeri, i cili më vonë edhe arriti ta vë në funksion në tërësi.

Ky teatër filloi punën më 16 maj 1987, me premierën e parë “Pylli është i të gjithëve”. Po këtë vit u propozua që teatri të emërtohej: Teatri i të rinjve, fëmijëve dhe i kukullave “Dodona”.

Kthesën e zhvillimit teatri “Dodona” e mori pas viteve te 90-ta kur filloi edhe shfaqje dhe premiera edhe për të rritur, Skena e mbrëmjes. Që nga kjo kohë e deri më sot, ky teatër ka shfaqur mbi 35 premiera për fëmije dhe mbi 70 premiera për të rritur të cilat u mirëpriten nga shikuesit.  

Teatri “Dodona” ka marrë pjesë në shumë festivale kombëtare dhe ndërkombëtare.