21 kandidatë garojnë për 5 pozita në Teatrin ‘Dodona’  

Visar Krusha, drejtori i Teatrit të Qytetit të Prishtinës, “Dodona”, ka bërë të ditur për KALLXO.com se 21 kandidatë kanë konkuruar në konkursin e këtij teatri për zgjedhjen e 5 aktorëve të rinj.

“Numri i aplikuesve në konkursin për aktorë në ‘Dodonë’ është 21 dhe tashmë procedurat kanë filluar dhe aplikantët janë njoftuar për hapat në vazhdim. Gjatë ditëve në vijim procesi do të intensifikohet dhe aplikantët do të njoftohen me kohë për të gjitha procedurat rreth këtij konkursi”, ka thënë Krusha.

Në prill të këtij viti Komuna e Prishtinës dhe Teatri “Dodona” hapën konkursin për pranimin e pesë aktorëve të cilët do të jenë pjese e trupës rezidente të këtij teatri.

Konkursi është mbyllur në fillim të këtij muaji.

Konkursi për aktorë të “Dodonës” u hap pas një vit pasi teatrove të qyteteve iu lejua rekrutimi i aktorëve për stafet rezidente dhe protestave të aktorëve të Prishtinës, të cilët kërkonin që Komuna të hapte konkursin për aktorë në teatrin e qytetit.

Por, grupi i aktorëve të kryeqytetit dhe njohës të fushës kërkuan anulimin e konkursit, duke konsideruar se kriteret e konkursit nuk ishin adekuate për rekrutimin e aktorëve për trupën rezidente të “Dodonës”.

Aktori Ilir Prapashtica, nga grupi i aktorëve të kryeqytetit, në një prononcim për KALLXO.com pati deklaruar se arsyeja e kërkesës për anulim konkursit ishin kriteret e caktuara për rekrutimin e aktorëve.

“Kriteret e konkursi nuk ishin adekuate për rekrutimin e aktorëve për trupën rezidente. Aktori nuk është nëpunës civil dhe nuk mund të kufizohet puna dhe orari i tij. Ne jemi aktorë dhe jo punëtorë administrativ”, pat thënë ndër të tjerash Prapashtica.

Megjithatë, drejtori i “Dodonës”, Visar Krusha ka thënë se në zyrën e tij nuk ka shkruar ndonjë ankesë apo kërkesë për anulimin e konkursit.

“Në TQP ‘Dodona’ nuk kemi pranuar ndonjë ankesë rreth konkursit, për çfarëdo ankese të mundshme drejtuar Komunës së Prishtinës, duhet ta kontaktoni Komunën”, ka thënë Krusha, për KALLXO.com.

Ndërsa zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk i janë përgjigjur KALLXO.com lidhur me këtë çështje deri në publikimin e artikullit.

Aktualisht “Dodona” ka 4 aktorë dhe me pranimin e pesë të tjerëve numri i përgjithshëm i aktorëve të trupës arrin në 9.

Sipas konkursit, kandidatët që do të aplikojnë për t’u bërë anëtarë të trupës rezidente të “Dodonës” duhet të kenë diplomë universitare dhe së paku 2 vjet përvojë punë në aktrim.