Komuna e Prishtines, Foto: Atdhe Mulla.

Kërkohet anulimi i konkursit për aktorë të Teatrit ‘Dodona’

Aktorë dhe regjisorë të skenës teatrore në Prishtinës po kërkojnë anulimin e konkursit të Komunës për pranimin e aktorëve të rinj për Teatrin “Dodona”.

Arsye për anulimin e këtij konkursi, sipas komunitetit skenik kryeqytetas janë kriteret dhe përshkrimi i detyrave të aktorëve (vendit të punës) që parashihen me konkurs.

Njëkohësisht konkursi i referohet ligjit për zyrtarë publik, duke e anashkaluar në tërësi ligjin për teatrot.

Muajin që shkoi Komuna e Prishtinës hapi konkursin për pranimin e 5-së aktorëve të rinj në Teatrin e Qytetit, “Dodona”.

Aktori Ilir Prapashtica, nga grupi i aktorëve të kryeqytetit, ka thënë për KALLXO.com se kërkesën për anulimin e konkursit e bazojnë duke u nisur nga kriteret dhe përshkrimi i vendit të punës që kërkohen me konkurs.

Sipas tij, aktori nuk është nëpunës civil dhe nuk mund të kufizohet puna dhe orari i tij.

Prapashtica ka thënë se shumë prej pikave të konkursit e bëjnë aktorin punëtor administrativ.

Ai ka thënë se grupi i aktorëve kryeqytetas e ka dërguar në Komunën e Prishtinës edhe kërkesën për anulimin e konkursit, ku i kanë evidentuar pikat (kriteret dhe përshkrimi i detyrave të aktorit) të cilat, sipas tij, bien ndesh me ligjet dhe nuk përkojnë me punën që e kryen një aktor.

“Ne jemi për t’i hyrë garës në konkursin për aktorë të ‘Dodonës’, por jo me këto kushte të cilat i ka vendos komuna. Ne jemi aktorë dhe jo punëtorë administrativë, ndër të tjerash aty shkruan se duhet me u kujdes për stafin, që nënkupton që ata do të ndihmojnë edhe në administratë, pastaj lë hapur me kuptu që munden me qenë edhe pastrues, shitës biletash, etj”, ka thënë Prapashtica.

Ndërsa, aktori Vedat Haxhiislami, i cili një ditë më parë përmes një postimi në Facebook kërkoi anulimin e konkursit, ka thënë për KALLXO.com se ky konkurs qysh në shpallje është bërë gabim dhe i paligjshëm.

“Pikësëpari sepse bazohet në ligjin e gabuar, pastaj ka ngatërrim tek përshkrimi i detyrave të punës dhe definimi i kualifikimeve, prandaj që nesër ishte dashtë të anulohet. Po të anulohet dhe zyrtarët përgjegjës të këtij lëmshi – shpallje do të duhet të viheshin para përgjegjësisë, për këto gabime katastrofale, sepse aty janë për t’i ditur gjërat e jo për t’u tallë me neve nëpërmjet paditurisë së tyre”, ka thënë ai.

Pro anulimit të konkursit për pranimin e aktorëve të rinj të Teatrit “Dodona” është shprehur edhe regjisori Ben Apolloni.

Në një prononcim për KALLXO.com, Apolloni ka thënë se Komuna e Prishtinës e ka injoruar Ligjin për Teatrot me këtë konkurs.

“Ligji e thotë se teatrot e qyteteve duhet të kenë ansamblin me më së paku 10 anëtarë. E komuna ka shpall konkurs veç për pesë aktorë. Plus që e ka injoruar plotësisht udhëheqësin artistik. Kanë gabuar. Duhet ta anulojnë këtë konkurs dhe ta korrigjojnë e rishpallin. Teatri është institucion kulturor, ka një ligj që rregullon veprimtarinë teatrore dhe ai ligj nuk mund të anashkalohet, nuk duhet të shkelet”, ka thënë ai, për Kallxo.com.

Ndërkaq, zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë thënë për KALLXO.com se ende nuk kanë marrë ndonjë ankesës apo kërkesë për anulimin e konkursit.

“Si Drejtori e Kulturës në Komunë të Prishtinës, ende nuk kemi marr kërkesë zyrtare për anulim të konkursit”, ka thënë për KALLXO.com, Adrian Berisha, drejtor për Kulturë në Komunën e Prishtinës.

Konkursi për pranimin e 5 aktorëve të rinj që do t’i bashkohen trupës rezident të Teatrit të Qytetit të Prishtinës, “Dodona” është hapur më 22.4.2021, ndërsa do të jetë i hapur deri nesër, më 06.05.2021.