Qindra mijëra euro ndahen për revitalizimin e qendrës historike të Janjevës

Janë 250 mijë euro të planifikuara të investohen në restaurimin e qendrës historike të qytezës së Janjevës.

Sipas ligjit për ndarjen buxhetore për 2021, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 250 mijë euro, për këtë vit për revitalizimin e pjesës së vjetër të kësaj qyteze.

Janjeva është një prej vendbanimeve më të vjetra në Kosovës. Gjatë mesjetës ajo ishte qendër e rëndësishme ekonomike.

Qyteza ka një numër të madh të aseteve të trashëgimisë kulturore, dhe konsiderohet një prej vendbanimeve më karakteristike në vend. Nisur nga ky fakt, ekspertë të trashëgimisë kulturore e konsiderojnë atë si një ‘qytet muze’.

Zyrtarë të MKRS kanë thënë për Kallxo.com, se revitalizimi i pjesës së vjetër të Janjevës, do të bëhet në bashkëfinancim me fondin e para asistencës me Zyrën e BE-së, kurse projekti do të zbatohet nga UNDP. Megjithëse ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur do të fillojnë punimet.

Janjevë: Të bashkuar në varfëri

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, ka thënë për Kallxo.com se korniza financiare e IPA II 2014-2020, për herë të parë lejon Kosovën që të përfitojë nga të gjitha komponentët e saj, siç ka thënë ajo në gjithsej 5-së, sa janë.

“Prioritet për ndihmë financiare nga IPA përcaktohen me Dokumentin Indikativ Strategjik (DIS), në të cilin dokument parashihet edhe përkrahje financiare për projektet me karakter të konkurrueshmërisë dhe inovacionit. Bazuar në rekomandimet e DIS si dhe përputhshmëria me legjislacionin vendor, njëri ndër projektet që ka dhënë potencial për konkurrueshmëri krahas edhe tre projekteve tjera të fushës së trashëgimisë kulturore, është ‘rigjenerimi i qytetit të vjetër të Janjevës’”, ka thënë ajo.

Për këtë qëllim, ka shtuar Aliu, në fillim të vitit 2018 MKRS në bashkëpunim me UP-në, përkatësisht Fakultetin e Arkitekturës, realizuan një pilot – projekt për rilevimin e 14 shtëpive brenda pjesës së vjetër të Janjevës.

“Produkti i këtij pilot – projekti paraqet një elaborat të dokumentimit grafik të gjendjes ekzistuese dhe propozim për konservim-restaurim të shtëpisë përkatëse. Bazuar ne produktin e këtij pilot- projekti, MKRS ka definuar termat e referencës për angazhimin e eksperteve për hartimin e Studimit të Fizibilitetit për projektin e ‘Rigjenerimit të Qytetit të vjetër të Janjevës’”, ka pohuar drejtoresha Aliu.

Ekspertë të trashëgimisë konsiderojnë se Janjeva, meriton epitetin “Qytet muze”.

Haxhi Mehemtaj, arkeolog, ekspert në fushën e trashëgimisë kulturore ka thënë për Kallxo.com se Janjeva është një pasuri kombëtare që duhet ruajtur.

“Janjeva ka pasuri të mëdha të trashëgimisë kulturore dhe meriton të jetë qytet muze”, ka thënë ai.

Janjeva

Qyteti i Janjevës dhe rrethina e tij, ofrojnë potenciale të bollshme për zhvillimin e turizmit.

Qendra historike e Janjevës ka status të mbrojtur si fushë e konservimit arkitekturale, dhe gjendet në Listën për Trashëgimi Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, me nr. unik në Data-Bazë: 004471.

Institucionet nuk kanë caktuar zonën mbrojtëse të qytetit, por kanë të inventarizuara 44 asetet e trashëgimisë arkitekturale që përbëjnë qendrën historike.

Qytetit i vjetër i Janjevës figuron në liste të mbrojtjes se përkohshme që nga tetori i 2017-ës.

Pavarësisht rëndësisë historike, Janjeva nuk është qendër administrative. Kjo qytezë gjendet nën juridiksionin e Komunës së Lipjanit.