Librat - Foto: KALLXO.com

Pandemia e Coronavirusit shton problemet e botuesve kosovarë 

Pandemia e Coronavisusit dhe masa e marra për parandalimin e saj kanë dëmtuar dukshëm veprimtarinë botuese në Kosovë. Mospuna e librarive për afër dy muaj, mbyllja e kufijve dhe shtyrja pa afat e mbajtjes së Panairit të Librit në qershor, kanë thelluar edhe më shumë problemet e botuesve. 

Për më tepër pandemia ka ndikuar edhe në mundësitë e qytetarëve për të shpenzuar para për librin. 

Botuesit kosovarë kanë thënë për Kallxo.com se COVID-19 do të lë pasoja në veprimtarinë botuese, duke shtuar dukshëm problemet dhe mungesat me të cilat përballen botuesit.  

Foto: ShBK

Edon Zeneli, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës ka thënë për Kallxo.com se sikur çdo hallkë tjetër të ekonomisë, pandemia ka prekur dhe dëmtuar edhe botuesit.  

Libraritë nuk kanë punuar për një muaj e gjysmë dhe, sic ka thënë ai,  kuptohet që kjo gjë ndikon negativisht tek botuesit.  

“Shto pastaj edhe faktin që buxheti familjar i njerëzve ka prioritete të tjera karshi librave: mund të themi që libri është i pari në listën e sakrificave për njerëzit dhe kjo ndikon shumë. Shoqata e Botuesve e Kosovës merr pjesë çdo vit në Panairin e Librit në Paris, atë në Frankfurt dhe atë në Tiranë. Organizon Panairin e Prishtinës. Ka gjasa që sivjet asnjëri panair të mos realizohet dhe kjo nënkupton një vit të çuar dëm për ne”, ka thënë Zeneli. 

Ndërsa, Teuta Sinanaj, drejtoreshë e Shtëpisë Botuese “Magjia e librit” ka pohuar se botuesve do t`u duhet kohë që të rimarrin vetëm për shkak të problemeve që ka krijuar për ta COVOD- 19. 

“Edhe ashtu libri apo botuesi nuk është se është përkrahur shumë nga shteti edhe para COVID- 19, edhe këto pakot emergjente së fundmi kanë qenë ndihma vetëm për punëtorë, e jo për botuesit apo bizneset. Qeveria ka gabuar që libraritë, ku ne i shesim botimet i ka hapur shumë vonë, me 4 maj, gjë që në secilin vend të botës janë hapur më herët dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në punën tonë”, ka thënë Sinanaj.  

Sinanaj ka kërkuar rritje të mbështetjes së librit nga shteti.   

“Do të ishte mirë që shteti të shtonte në të ardhmen ndihmën për librin, në formën që ta rrisë tirazhin e blerjes së librave për biblioteka dhe të blejë sa më shumë botime nga botuesit e Kosovës. Kjo do të ishte ndihma më e madhe për botuesit dhe mundësi që ata të investojnë në botimet e reja”, ka thënë botuesja Sinanaj. 

Ndërkaq, botuesi Nazmi Rrahmani, drejtor i SHB “Faik Konica” në një intervistë për Kallxo.com ka thënë se COVID-19  po lë pasoja që do të ndihen gjatë.  

“Sa i përket veprimtarisë botuese mendoj se  mungesat dhe problemet janë shtuar dukshëm dhe do të jenë me pasoja të rënda”, ka thënë ai. 

Në janar të këtij viti Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen (konkursin) për mbështetje të botimeve të botuesve dhe atë për blerje të botimeve për nevoja të bibliotekave për 2020. Por, deri më sot ende nuk janë bërë të ditur rezultatet e këtyre thirrjeve.