Performancë gjatë Festivalit UNUM Foto nga Valeriu Catalineanu

Shëngjin, edicioni i radhës i 'UNUM Festival' mbahet javën e parë të qershorit

Edicioni i 4-të i festivalit të muzikës elektronike “UNUM”, do të mbahet prej 1 deri më 6 qershor në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin të Shqipërisë.

Edicioni i sivjetmë, përveç të rinjve dhe muzikës, në fokus do të ketë edhe promovimin  e një mjedisi të pastër, me një rëndësi të veçantë në zhvillimin e turizmit shqiptar.

Organizatorët e “UNUM Festival”, në vigjilje të edicionit të katërt thanë se ky manifestim po shënon edhe një herë fillimin e një periudhe të jashtëzakonshme për turizmin shqiptar.

Ata thanë se edicioni i sivjetmë i këtij festivali është përgatitur me një përkushtim të veçantë, ndërsa interesimi i publikut për të ndjekur festivalin është i madh, duke bërë që 90% të biletave të shiten tashmë.

Festivali do të ketë edhe mbështetjeje të institucioneve qendrore e Bashkisë së Lezhës, të cilët po vlerësojnë rëndësinë që ka ky festival për mbarëvajtjen e sezonit turistik në Shqipëri.

Në këto ditë të festivalit do të ketë përformanca të shumta nga mbi 95 artistë të njohur botërorë si dhe rajoni, duke përfshirë disa nga DJ-të më të mëdhenj të muzikës elektronike në botë.

Mousa Ceesay, bashkëthemeluesi i festivalit, duke shpalosur risitë e “Unum Festival” në konferencë për media, tha se një vëmendje të veçantë do t’i kushtohet edhe promovimit të një mjedisi të pastër.

“Besojmë se natyra dhe muzika janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe është përgjegjësia jonë që të japim një shembull pozitiv për këtë marrëdhënie”- tha ndër të tjerash ai.

Sipas Ministrisë së Turizmit të Shqipërisë, “UNUM” po mbahet në një prej vendeve më të mira turistike të Shqipërisë, Shëngjinit.