‘Mirëdita, dobar dan!’ sjell këtë muaj skenën kulturore serbe në Prishtinë

Edicioni i tetë i “Mirëdita, dobar dan!” do të sjellë këtë muaj në Prishtinë skenën kulturore serbe.

Ky edicioni i këtij aktiviteti që do të mbahet nga 14 deri më 16 tetor 2021, hapet në Kino “Armata” me shfaqjen e filmit dokumentar “Hold me right” (Më shëro) të Danijela Stajnfeld.

Organizata “Itegra”, organizatore e këtij eventi, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014, këtë edicion do të prezantoj skenën kulturore e shoqërore të Serbisë në Prishtinë.

“Këtë edicion do të jenë qytetarët e Kosovës ata që do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Serbisë përmes një sërë prodhimesh artistike; filma, koncert, ekspozitë promovime të librave, etj. Një pjesë e programit si çdo herë do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve që trajtojnë tema të rëndësishme për shoqëritë e të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditëve të programit “Mirëdita, dobar dan!”, audiencës së Kosovës do t’i prezantohen artistë dhe krijues që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë.

Përveç shfaqjes së dokumentarit “Hold me right” gjatë këtij aktivitet do të ketë promovime librash, si “Serbia tjetër e Shkëlzen Gashit e “Vrasja e kulturës” të autorëve Viktor Ivančiq, Hrvoje Polan dhe Nemanja Stjepanoviç; debatet “Cila është Serbia tjetër?” dhe “Kultura si mjet politik”. Po ashtu është planifikuar të mbahet edhe koncerti “Pavana and more” me pianistet Branka Parliç dhe Natasha Peneziç dhe ekspozita Vrasja e Kulturës”, të fotografit Hrvoje Polan.

Programi i “Mirëdita, dobar dan!” për këtë vit, sipas organizatorëve mbyllet me filmin “Ngarkesa” të Ognjen Glavoniç.

Aktivitete në kuadër të progranmmit të eventit “Mirëdita, dobar dan” do të mbahen në Kino “Armata”, në Pallatin e Rinisë dhe në Galerinë e Fakutetit të Arteve. Hyrja në të gjitha ngjarjet e programit do të jetë falas.

Qëllimi kryesor i programit “Mirëdita, dobar dan!”, sipas njoftimit të organizatorëve është të prezantojë skenën kulturore të Kosovës në Serbi dhe anasjelltas, dhe përmes takimit të përfaqësuesve të komunitetit artistik dhe të shoqërisë civile të Kosovës dhe Serbisë të nxisë shkëmbimin e ideve dhe të krijojë një traditë bashkëpunimi.

“Frymëzim për “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav, botërorë, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore”, thuhet në njoftim.

Programi “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe Rockefeller Brothers Fund.

 

Programi i edicionit të 8-të